Bota Trump kërcënon vendet e BRICS: Hiqni dollarin dhe harrojeni tregtinë me Amerikën

Trump kërcënon vendet e BRICS: Hiqni dollarin dhe harrojeni tregtinë me Amerikën

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka kërcënuar hapur vendet e BRICS (një grup i ekonomive në zhvillim të mbështetur nga Kina dhe Rusia), se do t’u vendosë tarifë 100% për mallrat e tyre, nëse vijojnë angazhimin për të krijuar një monedhë të re dhe refuzojnë të përdorin dollarin.

“Ideja që vendet e BRICS po përpiqen të largohen nga dollari, ndërsa ne qëndrojmë pa bërë gjë dhe i shohim ka përfunduar. Ne kërkojmë një angazhim nga këto vende që ata të tregojnë se as nuk do të krijojnë një monedhë të re në kuadër të BRICS, e as nuk do të mbështesin ndonjë monedhë tjetër për të zëvendësuar dollarin e fuqishëm amerikan. Përndryshe ata do të përballen me tarifa 100% dhe duhet të përgatiten t’i thonë lamtumirë shitjeve në ekonominë e mrekullueshme amerikane”, shkroi Trump në një postim në platformën “Truth Social” të shtunën pasdite.

BRICS përbëhej nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut që nga viti 2011, ndërsa më herët gjatë këtij viti iu bashkuan edhe Irani, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Egjipti, çka shënoi zgjerimin e parë në më shumë se një dekadë.

Udhëheqësi i Brazilit, Lula da Silva në vitin 2023 propozoi krijimin e një monedhe të përbashkët në Amerikën e Jugut për të reduktuar varësinë nga dollari amerikan në kuadër të BRICS.

Përdorimi i monedhave BRICS dhe rrjeteve bankare jashtë sistemit të dollarit amerikan mund të lejojë vendet anëtare si Rusia, Kina dhe Irani të shmangin sanksionet perëndimore. Por shanset për një monedhë të re janë ndoshta të pakta për shkak të dallimeve ekonomike dhe gjeopolitike të aleancës.

Grupi në zgjerim është i vlefshëm për Kinën pasi synon të krijojë partneritete më të ngushta me aktorët kryesorë për të sfiduar udhëheqjen globale të Shteteve të Bashkuara.