Bota Trump konfirmon vdekjen e Al Baghdadit: Vdiq si një frikacak

Trump konfirmon vdekjen e Al Baghdadit: Vdiq si një frikacak

Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi është vrarë pas një operacioni të forcave speciale ushtarake amerikane në Siri.

“Mbrëmë Shtetet e Bashkuara sollën terroristin numër një në botë para drejtësisë“, njoftoi presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë të dielën.

“Asnjë personel amerikan nuk u dëmtua në operacion” .por një numër i madh i luftëtarëve të Bagdadit u vranë, njoftoi Presidenti Trump të dielën nga Shtëpia e Bardhë.

Duke folur përpara gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Al Baghdadi aktivizoi xhupin e tij me eksploziv gjatë operacionit të forcave speciale mbrëmjen e së shtunës.

Në një deklaratë të pazakontë për shtyp, Trump u shpreh: “Ai vdiq pasi vrapoi në thellësinë e një tuneli që nuk kishte dalje duke qarë e ulëritur gjatë gjithë rrugës. Personi që u përpoq aq shumë të intimidonte të tjerët i kaloi momentet e fundit të jetës së tij në frikë dhe panik total nga forcat amerikane që i ishin vënë pas”.

Detaje nga operacioni

Mediat ndërkombëtare kanë nxjerrë detaje nga operacioni i një ditë më parë i ushtrisë amerikane, të mbështetura dhe nga ajri për vrasjen e kreut të Shtetit Islamik, al Baghdadi.

Sipas të dhënave, të konfirmuara dhe nga ushtria, kreu i ashtuquajturit “Kalifati islamik” hodhi veten në erë sapo pikasi se ishte rrethuar nga ushtarët. Bashkë me të humbën jetën dhe dy gratë e tij dhe tre fëmijët e tij.

Njeriu më i kërkuar në planet në 5 vitet e fundit aktivizoi një xhup me eksploziv, në shtëpinë ku fshihej në fshatin Brisha të provincës Idlib, i cili shkaktoi një shpërthim të fuqishëm. Mësohet se al Baghdadi kishte mbërritur në vendin ku ndodhi operacioni i ushtrisë amerikane vetëm 48 orë më parë, duke nënkuptuar kështu se prej kohësh ishte në survejim. Në aksionin për vrasjen e tij kontribuuan dhe shërbimet inteligjente turke dhe ato irakiane.

Mbështetësit e al Baghdadit sapo morën vesh lajmin për vdekjen e liderit të tyre premtuan se lufta e ISIS nuk përfundon dhe se xhihadi do të vijojë më tej.