Bota Trump konsideron zëvendësimin e Hegseth me DeSantis për të drejtuar Pentagonin

Trump konsideron zëvendësimin e Hegseth me DeSantis për të drejtuar Pentagonin

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump po konsideron emërimin e guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pete Hegseth, emërimi i të cilit është kritikuar.

Që kur Trump emëroi Hegseth, një ish-prezantues i Fox News, për të udhëhequr Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, është shfaqur një akuzë për sulm seksual, si dhe pikëpyetje rreth kualifikimeve të tij.

DeSantis, i cili u zgjodh si guvernator i Floridës në vitin 2018, ende nuk ka komentuar për këtë zgjedhje të Trump. Lajmi vjen ndërsa Hegseth, emërimi i të cilit u njoftua në mes të Nëntorit, takohet me anëtarët e Kongresit këtë javë për të diskutuar rreth politikave të reja që do të hartojë pasi të marrë postin.

Trump më herët kur propozoi emërimin e Hegseth theksoi arsimimin e ish-ushtarakut dhe përvojën e tij ushtarake në Afganistan dhe Irak dhe se ne drejtimin e tij ushtria amerikane do të jetë përsëri e shkëlqyer. Por disa republikanë kanë shprehur rezerva për konfirmimin e tij për rolin kryesor të Pentagonit pasi nuk ka përvojën e gjerë për pozicionin.

Përveç kësaj, që nga emërimi i Hegseth, ka dalë një raport i policisë që detajon akuzat për një sulm të dyshuar seksual në vitin 2017 akuza të cilat ai i ka mohuar.

Deri më tani, dy zgjedhje të Trump për poste të larta kanë hequr dorë. Chad Chronister të martën u tërhoq për të drejtuar DEA-n, ndërsa disa javë më parë edhe ish-Përfaqësuesi Matt Gaetz hoqi dorë nga posti si prokuror i përgjithshëm mes një shqyrtimi intensiv rreth akuzave për abuzim seksual me një vajzë të mitur.