Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kritikuar kreun e Shtëpisë së Bardhë Joe Biden për mënyrën e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, duke bërë që talebanët të marrin kontrollin e vendit.
Trump e ka konsideruar “poshtërimin më të madh në historinë e politikës së jashtme amerikane” vendimin e Biden për tërheqjen e trupave ushtarake.
Republikani fajëson pasardhësin e tij demokrat për rrëzimin e qeverisë afgane dhe marrjen e pushtetit nga talebanët.
“Mënyra e ngathët e Biden për t’u larguar nga Afganistani është shfaqja më e pabesueshme e paaftësisë nga një udhëheqës i këtij vendi”, tha Trump në një tubim me qytetarët.
Donald Trump shprehu pakënaqësinë edhe për mënyrën e largimit nga Afganistani të trupave amerikane, duke lënë pas personelin dhe pajisjet.
“Kjo nuk ishte tërheqje e forcave, kjo ishte dorëzim i pakushtëzuar”, u shpreh ish-Presidenti amerikan.
Ndërsa Biden më herët ka kritikuar ushtrinë afgane se nuk ka luftuar sa duhet për të mbrojtur vendin e tyre. Talebanët, të cilët kanë marrë kontrollin e Afganistanit, janë në procesin e formimit të një qeverie të re.