Presidenti Donald Trump përsëriti të hënën se ai ka “një marrëdhënie shumë të mirë” me Dr. Anthony Fauci pavarësisht njoftimeve të medias në fundjavë se administrata po minonte zërin e një prej anëtarëve më të spikatur të ekipit të punës për koronavirusin.
Trump u pyet nga gazetarët në lidhje me mjekun gjatë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, që ishte e përqendruar në çështjet e zbatimit të ligjit. Ndërsa presidenti ka komentuar më parë në mënyrë të favorshme për marrëdhëniet e tij me Anthony Faucin, të hënën ai tha: “Unë, jo gjithmonë jam dakord me të.”
Fauci, i cili drejton Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, është në ekipin e punës së Shtëpisë së Bardhë për përgjigjen ndaj COVID-19, sëmundja që vjen nga virusi që ka infektuar miliona amerikanë dhe që nuk po tregon shenja të dobësimit.
Në një konferencë për shtyp më herët të hënën, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet për një deklaratë që Peter Navarro, këshilltari tregtar i presidentit, i dërgoi gazetës The Washington Post dhe publikoi në një artikull më 11 korrik ku pohonte se Fauci “ka një marrëdhënie të mirë me publikun, por ai ka qënë i gabuar për gjithçka që kam diskutuar ndonjëherë me të”.
Organizatat e tjera të lajmeve e cilësuan deklaratën e zotit Navarro si një hulumtim opozitar me stil fushate.
“Nuk ka asnjë hulumtim opozitar që po u jepet gazetarëve,” tha McEnany. “Na u bë një pyetje shumë specifike nga The Washington Post. Dhe kjo pyetje ishte – Presidenti Trump vuri në dukje se Dr. Fauci kishte bërë disa gabime – dhe ne kemi dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë për atë që ishte një pyetje e drejtpërdrejtë”.
Artikulli i gazetës The Washington Post vinte në dukje gjithashtu se Fauci dhe Trump kanë folur për herë të fundit javën e parë të qershorit.
Trump vazhdimisht ka kërkuar të minimizojë seriozitetin e pandemisë ndërsa Fauci jo.
“Nuk duhet të ngushëllohemi dhe të themi se kemi një nivel më të ulët të vdekshmërisë,” tha Fauci javën e kaluar. “Ka shumë gjëra të tjera që janë shumë të rrezikshme dhe të këqija në lidhje me këtë virus. Nuk duhet të biem në vetëkënaqësi të rreme.”
Presidenti gjithashtu ka hedhur dyshime për disa nga masat e sigurisë publike të mbrojtura nga Fauci dhe profesionistë të tjerë të shëndetit.
“Ata duhet të na tregojnë liçencat e tyre mjekësore; ata nuk i kanë ata, “tha kongresmeni Ami Berra, mjek i Trumpit dhe Navarros. Tani për tani, perandori është i zhveshur. Kjo është një kohë kur ne kemi nevojë për udhëheqje të vërtetë, dhe nuk do ta shohim atë nga Presidenti Trump”.
Më herët të hënën, presidenti iu drejtua përsëri 83 milion ndjekësve të tij në Twitter duke thënë se “të gjithë gënjejnë” për koronavirusin, përfshirë Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Javën e kaluar, Trump tha se mendonte se udhëzimet e CDC-së për rihapjen e shkollave ishin shumë të ashpra, jopraktike dhe me kosto.
“Shkollat duhet të hapen”, tha përsëri të hënën presidenti Trump. “Po humbasim shumë jetë duke i mbajtur gjërat të mbyllura”./VOA