Kur numërimi nuk ka përfunduar ende në SHBA dhe sipas projeksioneve Joe Biden duket se do të jetë Presidenti i ri i Amerikës, kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump për momentin nuk ka ndërmend që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Një burim pranë Donald Trump i ka thënë Fox News se këshilltarët e Presidentit po japin mendime të ndryshme. Disa prej tyre e këshillojnë Trumpin që pranimi i rezultatit është gjëja e duhur për të bërë. Ndërsa disa të tjerë e shtyjnë që të vazhdojë betejën ligjore për të marrë sa më shumë vota.
Duke iu referuar burimit konfidencial, Fox News raporton se Presidenti Trump në këtë moment është “skeptik”.
“Ai e paralajmëroi këtë situatë për muaj me radhë. Media nuk e mori seriozisht dhe tani ndodhemi përpara këtij skenari”, thotë burimi i Fox News.
“Në fund të fundit Presidenti mund ta pranojë rezultatin, por momentalisht nuk do ta bëjë”, vijon burimi.
Ndërkohë, këshilltari i përgjithshëm i fushatës së Trump, Matt Morgan ka thënë se zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende.
“Projeksioni i rremë për Joe Biden si fitues bazohet në rezultatet e 4 shteteve që janë ende larg përfundimit të numërimit. Në Xhorxhia do të rinumërohen votat dhe kemi besim se do të gjenden fletëvotimet e pasakta dhe në fund do të mbizotërojë Presidenti Trump”, deklaroi Morgan.
Ai vijoi duke thënë se edhe në Pensilvani kishte shumë parregullsi. Ekipi i Donald Trump ka ngritur padi në disa shtete për parregullsi në procesin zgjedhor.