Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij në Xhorxhia të votojnë për senatorët republikanë Kelly Loeffler dhe David Perdue për të parandaluar “socialistët” dhe “komunistët” që të marrin kontrollin e Senatit të SHBA-ve.
“Nuk ka pasur kurrë një rast kur një shtet ka pasur këtë rëndësi në garat e Senatit. Asnjëherë dhe kjo është diçka që është shumë e rëndësishme dhe ju duhet të dilni dhe duhet të votoni.”– tha Trump në një tubim në Valdosta, të shtunën, citon Fox News. Ai shtoi: “Nëse nuk votoni, socialistët dhe komunistët fitojnë.”
Trump shpjegoi para turmës së njerëzve se si ai i shihte zgjedhjet për Senatin.
“Shumë thjesht, ju do të vendosni nëse fëmijët tuaj do të rriten në një vend socialist apo një vend të lirë. Socializmi është vetëm fillimi për këta njerëz. Ata duan të shkojnë në një formë komuniste të qeverisjes.”– tha ai.
Trump tha se dy demokratët Jon Ossoff dhe Raphael Warnock, janë “dy kandidatët liberalë më ekstremë të së majtës ekstreme, në histori”.
Trump iu lut zgjedhësve në Xhorxhia të votojnë, ndërsa ende shpreh mosbesim në trajtimin e zgjedhjeve nga shteti: “Ju duhet të shkoni të votoni, të votoni herët. Ata mashtruan, ata manipuluan zgjedhjet tona presidenciale, por ne ende do t’i fitojmë ato. Ata do të përpiqen të manipulojnë edhe këto zgjedhje.”
Zgjedhjet e balotazhit të 5 janarit, do të përcaktojnë nëse republikanët do të mbajnë Senatin apo nëse demokratët do të kontrollojnë si Dhomën edhe Senatin, ashtu si edhe Shtëpinë e Bardhë.