Aktualitet Trump pezulloi fondet jashtë SHBA-së, reagon SPAK

Trump pezulloi fondet jashtë SHBA-së, reagon SPAK

Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të rishikuar të gjitha fondet që qeveria amerikane jep për agjencitë e saj në mbarë botën.

SPAK thotë se është institucion i pavarur dhe se mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit.

Në reagim thuhet se prokuroria e BKH-ja kanë pasur mbështetjen e SHBA-së nëpërmjet misioneve të OPDAT, ICITAP, DEA dhe FBI.

Sipas SPAK, mbështetja e tyre është e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.

REAGIMI I SPAK

Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare.

SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025.

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët  kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI.

Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.