Bota Trump pritet të dënohet dy javë para se të betohet si President

Trump pritet të dënohet dy javë para se të betohet si President

10 ditë përpara se të betohet si President i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pritet të dënohet, pasi u shpall fajtor në maj të vitit të kaluar për 34 akuza për mashtrim financiar.

Trump akuzohet se ka fshehur një pagesë të paligjshme në vlerën e 130 mijë dollarëve ndaj aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, e cila e kishte kërcënuar në vitin 2016 gjatë fushatës zgjedhore se do të zbulonte se Trumpi kishte pasur marrëdhënie seksuale me të.

Vendimi pritet të jepet në 10 janar, por gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchan tha se do të përdorë formulën e “lirimit të pakushtëzuar” që do të thotë se Trump nuk do të dënohet me burg, gjobë apo dënime alternative, por mund të paraqitet personalisht apo virtualisht në seancën dëgjimore.

Trump është përpjekur të përdorë imunitetin dhe fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale për ta mbyllur çështjen kundër tij.

Presidenti i zgjedhur ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm, duke argumentuar se rasti ishte një përpjekje për të dëmtuar fushatën presidenciale të vitit 2024.

Në korrik, Gjykata e Lartë vendosi se presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për “veprimet zyrtare” gjatë kohës që janë në detyrë. Megjithatë, muajin e kaluar, gjykatësi Merchan vendosi që dënimi i Trumpit për rastin e falsifikimit të të bilanceve të mbetet në fuqi.

Dënimi më 10 janar do ta bëjë Trumpin të dënuarin e parë për një vepër penale që do të shërbejë në Shtëpinë e Bardhë.