Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se dërgimi i trupave ushtarake në Venezuelë është një mundësi që mbetet për t’u shqyrtuar, ndërsa refuzoi një takim të mundshëm mes tij dhe Presidentit socialist Nicolas Maduro.
Në një intervistë për CBS News, Trump përsëriti se ndërhyrja ushtarake mbetet e hapur. Ai tregoi se Maduro i kishte kërkuar takim disa muaj më parë.
Komentet e Trump vijnë në një kohë kur Venezuela është në prag të luftës civile dhe shtetet perëndimore po ushtrojnë presion mbi Maduron. Lideri i opozitës, Guaido është vetëshpallur President i Venezuelës, pas protestave masive popullore kundër regjimit të Nicolas Maduro. SHBA ishte e para që njohu Guaidon si President pas vetëshpalljes së tij.
Ndërsa të dielën, skadoi afati që vendet e BE-së i kishin lënë Maduros për të organizuar zgjedhje të parakohshme presidenciale, duke u renditur kështu në krah të Guaidos. Nga ana tjetër, Rusia, Kina dhe Turqia po mbajnë anën e Presidentit Maduro.
Javën e kaluar, administrata Trump vendosi sanksione ndaj kompanisë së naftës për të dobësuar regjimin e Maduros. Këto sanksione mund të dobësojnë edhe ekonominë e Veneuelës, e cila tashmë po përballet me krizë humanitare. Protestat shpërthyen pikërisht pas pakënaqësive ndaj regjimit, ku njerëzit po përballen me papunësi, varfëri dhe mungesë të theksuar të shërbimeve bazë. Ndërsa, qeveria e Presidentit Maduro e mohon që vendi të jetë në krizë humanitare.