Bota Trump rikthehet në Zyrën Ovale: Sëmundja ishte bekim nga Zoti, kura do...

Trump rikthehet në Zyrën Ovale: Sëmundja ishte bekim nga Zoti, kura do të jetë falas

Amerikanët nuk do të paguajnë për kurën. “Ju nuk do të paguani për të, nuk është faji juaj për këtë që po ndodh. Është faji i Kinës dhe ajo do të paguajë një çmim të rëndë”, tha presidenti i SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili po mjekohet për COVID-19, u kthye në Zyrën Ovale të mërkurën pasdite për herë të parë që kur doli nga spitali dy ditë më parë pasi ishte shtruar për koronavirus.

Presidenti shkoi nga rezidenca në zyrën presidenciale për t’u informuar mbi bisedimet e bllokuara për stimulin ekonomik lidhur me koronavirusin si dhe uraganin Delta, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti postoi menjëherë në Twitter se ishte informuar për stuhinë dhe kishte folur me guvernatorët e Teksasit dhe Luizianës lidhur me përgatitjet.

“Sëmundja, bekim nga Zoti”

Mjekët thonë se presidenti nuk ka shfaqur asnjë simptomë gjatë 24 orëve të fundit dhe prej 4 ditësh nuk ka temperaturë.

Në një videomesazh, Trump e cilësoi sëmundjen një “bekim nga Zoti”, pasi provoi kokteilin e antitrupave Regeneron, që sipas tij mund të kurojë koronavirusin.

“Brenda një kohe shumë të shkurtër më dhanë regeneron. Mora edhe ilaçe të tjera, por kokteili i antitrupave ishte i pabesueshëm. U ndjeva menjëherë më mirë dhe doja të dilja nga spitali. Dua që çdokush të marri të njëjtin trajtim si unë, pasi është shumë efikas. Prandaj mendoj se ishte një bekim që u infektova me koronavirus”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Trump shtoi më tej se qindra-mijëra doza të antitrupave të prodhuara nga regeneron ishin thuajse gati, por medikamenti nuk është aprovuar ende nga Agjencia për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Amerikanët nuk do të paguajnë për kurën

Trump ripërsëriti sulmet ndaj Kinës dhe u tha amerikanëve se nuk do të paguanin për kurën.

“Ju nuk do të paguani për të, nuk është faji juaj për këtë që po ndodh. Është faji i Kinës dhe ajo do të paguajë një çmim të rëndë”, shtoi ai.

Por ndërsa presidenti nxiton t’i rikthehet aktiviteteve normale, dyshime dhe paqartësi mbeten mbi faktin nëse ai vazhdon të jetë pozitiv.

Shefi i kabinetit, Mark Meadows, tha se çdokush që po ndërvepron me Trump po e bën me të gjitha mjetet mbrojtëse. Një memo ditën e hënë, kërkoi kufizim të lëvizjeve në katin e parë të krahut perëndimor dhe pranë rezidencës, ndërsa çdokush që do t’i afrohej presidentit deri në 2 metra do të duhej të kishte masa të rrepta mbrojtëse dhe sterilizuese.