Bota Trump shumë pranë nominimit republikan, fiton në tre shtete në një ditë...

Trump shumë pranë nominimit republikan, fiton në tre shtete në një ditë të vetme

Donald Trump fitoi një sërë garash presidenciale republikane, duke u afruar nominimit republikan për t’u bërë kandidati i partisë në zgjedhjet e nëntorit.

Ish-presidenti fitoi zgjedhjet parlamentare në Misuri, Michigan dhe Idaho duke mundur ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley. Në një tubim në Virxhinia para mbështetësve, ai u shpreh se është gati për të kryesuar garën e nëntorit. Trump kritikoi Haley dhe i bëri thirrje asaj të largohej për të lejuar republikanët të përqendrohen në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Trump sulmoi drejtpërdrejt Biden dhe e fajësoi atë edhe një herë për krizën kufitare se presidenti aktual po inkurajonte qëllimisht emigrantët të kalonin nga Meksika.

“Sjellja e Biden në kufirin tonë është, me çdo përkufizim është një komplot për të përmbysur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E dini, ai flet për demokracinë. Ai është një rrezik për demokracinë. Ata duan të rrëzojnë sistemin amerikan, të anulojnë vullnetin e votuesve aktualë amerikanë dhe të krijojnë një bazë të re pushteti që u jep atyre kontroll.”

Pothuaj në të gjitha shtetet, Trump fitoi me rreth 98% të votave, ndërsa e quajti atë një “fitore dërrmuese dhe dominuese”. Deri më tani, Trump ka siguruar 247 delegatë republikanë shumë më tepër se Haley. Mediat shkruajnë se Haleyt po i mbaron shpejt koha për të ndryshuar rrjedhën e garës për nominimin e republikanëve.

Ndërkaq, 5 marsi konsiderohet dita më e madhe e zgjedhjeve paraprake, kur do të votojnë 15 shtete. Me fitoret në Iowa, New Hampshire, Nevada, Ishujt e Virgjër të SHBA-së, Karolinën e Jugut dhe tani në Michigan, Missouri dhe Idaho mbetet kryesori për t’u përballur kokë më kokë me presidentin amerikan Joe Biden në 5 nëntor.

Një sondazh i New York Times dhe Siena tregon se 48% e votuesve amerikanë do të mbështesin Trump, krahasuar me 43% për presidentin aktual. Sondazhi gjeti gjithashtu nivele të forta pakënaqësie për Biden.