Djali i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump Jr, do të udhëtojë drejt Groenlandës, teksa babai i tij, Donald Trump rishikon interesin për të kontrolluar territorin e Arktikut.
”Djali im, Don Jr, dhe përfaqësues të ndryshëm, do të udhëtojnë atje për të vizituar disa nga zonat dhe pamjet më madhështore”, shkroi Trump në Truth Social.
”Groenlanda është një vend i jashtëzakonshëm dhe njerëzit do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nëse dhe kur ajo do të jetë pjesë e kombit tonë”, shtoi lideri republikan, i cili rikthehet në detyrë më 20 janar.
Vizita e Trump Jr thuhet se është e një natyre private dhe nuk ka plane për takime zyrtare me qeverinë e Groenlandës. Në vend të kësaj, një burim i tha Reuters, se Trump Jr. planifikon të regjistrojë një podcast.
Megjithatë, Euractiv duke iu referuar burimeve nga qarqet politike të Groenlandës raporton se Trump Jr. do të takohet me Erik Jensen, kreun e Partisë Social Demokratike dhe Ministër i Financave dhe Tatimeve. Po ashtu dyshohet se për shkak të vizitës së Trump Jr. në Groenlandë është shtyrë edhe takimi midis kryeministrit të Groenlandës Múte Egede dhe mbretit danez Frederik X në Kopenhagë.
Qoftë një vizitë turistike apo një mision strategjik, Trump Jr. do të ketë mundësinë të testojë ujërat dhe të shohë se si marrin frymë banorët e Groenlandës kur në ajër qarkullon ideja për një blerje të mundshme nga Amerika. Edhe pse ai nuk ka një rol zyrtar në kabinetin e babait të tij, ai është i përfshirë në mënyrë aktive në projektet e biznesit ndërkombëtar të Organizatës Trump, një konglomerat në pronësi të presidentit të zgjedhur të SHBA.
Në fund të vitit të kaluar, Trump përsëriti dëshirën e tij për “pronësi dhe kontroll” të ishullit më të madh në botë, një ide që ai e hodhi për herë të parë në vitin 2019. Si atëherë, ai u refuzua me vendosmëri.
“Groenlanda është e jona. Ne nuk jemi për shitje dhe nuk do të jemi kurrë në shitje. Ne nuk duhet të humbasim luftën tonë të gjatë për liri”, tha pas deklaratave të Trump, kryeministri i Groenlandës, Múte Egede.
Danimarka gjithashtu reagoi shpejt duke njoftuar një rritje prej 1.3 miliardë eurosh në kostot e mbrojtjes për Groenlandën. Megjithë pikëpamjet e tij të ashpra, Egede sinjalizoi një ndryshim në ton në fjalimin e tij të Vitit të Ri, duke theksuar se Groenlanda duhet të heqë pengesat për bashkëpunimin me vendet e tjera si një hap drejt çlirimit nga “prangat e epokës koloniale”.
Groenlanda ishte një koloni daneze derisa fitoi vetëqeverisje me parlamentin e saj në 1979.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu mundësinë e një referendumi për pavarësinë, i cili mund të mbahet me zgjedhjet parlamentare në muajin prill. Sipas një marrëveshjeje të vitit 2009 me Danimarkën, Grenlanda ka të drejtë të shpallë pavarësinë përmes një referendumi.
Megjithëse opinioni publik në ishull mbështet përgjithësisht idenë e pavarësisë, ka shqetësime për sfidat e mundshme ekonomike dhe ndikimin në standardet e jetesës që do të sillte një vendim i tillë. Pavarësisht pasurisë së saj me minerale, naftë dhe gaz natyror, ekonomia e Groenlandës mbetet kryesisht e varur nga peshkimi dhe subvencionet vjetore prej 500 milionë eurosh nga Danimarka.
Gjatë gjithë historisë ka pasur raste kur janë shitur territore. Për shembull, në vitin 1917, SHBA bleu nga Danimarka koloninë e Indisë Perëndimore të Mbretërisë së Danimarkës, e njohur sot si Ishujt e Virgjër të SHBA-së, për 25 milionë dollarë ar. Në vitin 1946, Presidenti Harry Truman i ofroi Danimarkës 100 milionë dollarë për Groenlandën, shumë të cilën Danimarka e refuzoi.
Megjithatë, në rastin e një Groenlande të pavarur, territori do të gëzonte sovranitet të plotë, duke e bërë çdo shitje të mundshme të varej vetëm nga vendimet e saj ligjore dhe politike. Duke pasur parasysh identitetin e tyre të fortë kombëtar dhe dëshirën për vetëvendosje, duket e pamundur që ata të pranojnë një transaksion të tillë në të cilin do të bëheshin pjesë e një kombi tjetër.