Trupat amerikane do të transferohen nga Gjermania në Poloni, tha Presidenti Trump ndërsa priti homologun polak Andrzej Duda në Shtëpinë e Bardhë, pa zbuluar detaje në lidhje me numrin e tyre.
“Polakët na pyetën nëse do t’u dërgojmë atyre forca shtesë. Me shumë mundësi do të largohemi nga Gjermania për në Poloni. Ne do të zvogëlojmë forcat tona në Gjermani. Disa do të kthehen, të tjerët do të shkojnë në një vend tjetër, dhe Polonia do të jetë një nga ato vendet në Evropë”, tha Trump.
Presidenti polak Andrzej Duda është duke bërë një “punë të shkëlqyeshme” në vendin e tij, tha Donald Trump për mysafirin e tij nga Varshava, i cili po përballet me zgjedhje të pasigurta për një mandat të dytë.
“Presidenti Duda po bën shumë mirë në Poloni. Ai bën një punë të shkëlqyeshme, polakët e konsiderojnë atë një njeri të madh. Unë nuk mendoj se ai ka nevojë për ndihmën time”, tha Donald Trump.
Presidenti amerikan, i cili është ankuar për një kohë të gjatë ndaj Berlinit se nuk është i përfshirë sa duhet në shpenzimet ushtarake të NATO-s, tha javën e kaluar se dëshiron të zvogëlojë ndjeshëm numrin e trupave amerikane të vendosur në Gjermani, i cili do të bjerë nga 52,000 në 25,000.
Presidenti polak theksoi në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë se ai “nuk guxon t’i tregojë presidentit amerikan se ku do t’i dërgojë trupat e tij”, por i kërkoi që të mos “tërheqë forcat amerikane nga Evropa” në mënyrë që të ruajë sigurinë e kontinentit.