New Hampshire i përket Donald Trump. Ish-presidenti dha një tjetër provë se është ai më shumë mundësi kandidati i republikanëve në përballjen Joe Biden për Shtëpinë e Bardhë.
Manjati arriti të fitonte primaret në Neë Hampshire me një diferencë të thellë përballë Nikki Haley, të cilat konsideroheshin një pikë kyçe për garën mes republikanëve.
Pas numërimit të pjesës më të madhe të votave, Trump udhëheq ndaj Haley me të paktën 10 pikë përpara.
Rezultati shënon një hap prapa për ish-ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila investoi kohë dhe burime të konsiderueshme financiare për ta mundur Trump.
Haley është sfiduesja e fundit në garën republikane pasi guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i dha fund fushatës së tij presidenciale gjatë fundjavës, çka i mundësoi asaj të bënte fushatë si alternativa e vetme përballë Trump.
Ajo i intensifikoi kritikat ndaj ish-presidentit, duke vënë në pikëpyetje mprehtësinë e tij mendore dhe paraqitur veten si një kandidate unifikuese që do të sillte ndryshime për brezat e ardhshëm. Por fushata e saj nuk tërhoqi votues të mjaftueshëm.
Pas fitores së primareve në New Hampshire, Donald Trump ka lëshuar sërish një lumë akuzash ndaj kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden.
Gjatë një takimi elektoral në Nashua, miliarderi amerikan u shpreh i bindur se do të arrinte një fitore historike në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Do ta mundim Joe Biden, por kush nuk mund ta mundë atë. Ai nuk bën dot dy fjalë bashkë. Nuk mund të ecë vetë dhe pa ndihmë”.
Më tej, Trump kërkoi nga rivalja e vetme në garë në radhët e republikanëve, Nikky Haley që të heqë dorë dhe të mos vijojë më me fushatën.
“Nikki Haley duhet të pezullojë kandidimin e saj presidencial. Nëse nuk largohet, ne humbim para në vend që t’i shpenzojmë kundër Joe Biden, që është fokusi ynë. Ajo pësoi një tjetër humbje të rëndë dhe mbajti një fjalim sikur fitoi”, tha Trump.