Presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump tha dje se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i interesuar për një “marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, pas takimit të tyre në Paris.
Presidenti francez, Emmanuel Macron priti dje bisedimet tripalëshe me Zelensky dhe Trump në Pallatin Elysee, ndërsa frika rritet në Kiev për pozicionin e administratës së ardhshme amerikane.
Trump ka ironizuar hapur ndihmën ushtarake me vlerë miliarda dollarë që administrata Biden po dërgon në Ukrainë – duke thënë se ai mund t’i jepte fund konfliktit brenda 24 orëve.
“Zelensky dhe Ukraina do të donin të bënin një marrëveshje dhe të ndalonin çmendurinë”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe negociatat duhet të fillojnë. Shumë jetë po humbasin kot, shumë familje janë shkatërruar dhe nëse kjo vazhdon, mund të kthehet në diçka shumë më të madhe”, tha Trump.
Disa orë pas takimit të treshes, administrata në largim e presidentit amerikan Joe Biden njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 988 milionë dollarësh për Ukrainën.
“Paketa përmban dronë, municione për raketa-hedhës preciz HIMARS dhe pajisje dhe pjesë rezervë për sistemet e artilerisë, tanke dhe automjete të blinduara”, tha Pentagoni.