Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi publikoi këtë të hënë pamje nga porti i Durrësit ku vijon zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane që do të marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët Defender Europe 21.
“Nga porti i Durrësit ku vazhdon me ritëm zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane. Gjithçka gati për të çelur stërvitjen e përbashkët më të madhe, të zhvilluar në Shqipëri, nga ushtria amerikane dhe forcat tona të armatosura në kuadër të NATO, Defender Europe 21”, shkruan Peleshi.
Kjo është pjesë e stërvitjeve ushtarake shumëkombëshe Defender-Europe 21 të drejtuara nga ushtria amerikane, të cilat janë përqendruar në parandalimin e agresionit dhe ruajtjen e gatishmërisë operacionale me NATO-n dhe një numër më të madh aleatësh dhe partnerësh. Ato do të zhvillohen nga 17 Maji deri më 2 Qershor.