The Economist
Kur shpërthyen protestat në Kazakistan, një vend prej 19 milionë banorësh i pasur me naftë, presidenti i vendit, Kassym-Zhomart Tokayev, e dinte se kë të telefononte. Në fillim të 6 janarit, ai telefonoi Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO). Brenda pak orësh, parashutistët rusë dhe forcat speciale bjelloruse hipën në avionë për të shkuar në Almati, të gatshëm për të ndihmuar Tokayev të kontrollonte kryengritjen.
Çfarë është CSTO?
Ndërsa Lufta e Ftohtë i afrohej fundit në korrik 1991, Traktati i Varshavës, një aleancë e tetë shteteve socialiste dhe përgjigja e Bashkimit Sovjetik ndaj NATO-s, u shpërbë. Më pak se një vit më vonë Rusia dhe pesë nga aleatët e saj në Commonwealth of Independent States, një organizatë e vendeve post-sovjetike, nënshkruan një Traktat të ri të Sigurisë Kolektive, i cili hyri në fuqi në 1994.
Organizata ishte më e vogël, më e dobët dhe më pak ambicioze se Traktati i Varshavës. Në vitin 2002, ndërsa Azia Qendrore po zgjerohej në aspektin e gjeopolitikës dhe Amerika kishte pushtuar Afganistanin, ajo e shpalli veten Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë ushtarake e plotë.
Sot traktati ka gjashtë anëtarë: Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Rusia dhe Taxhikistani (Uzbekistani u largua nga organizata në 2012).
Për Rusinë, CSTO është një mjet i dobishëm për të forcuar kontrollin e saj në Azinë Qendrore, kundër ndërhyrjeve perëndimore dhe kineze. Traktati justifikon objektet ushtarake ruse në vendet anëtare, duke i dhënë gjithashtu Rusisë të drejtën e vetos mbi çdo bazë tjetër të huaj në rajon. Nga ana tjetër, anëtarët e CSTO-së përfitojnë nga bashkëpunimi me forcat e armatosura të avancuara të Rusisë, duke përfshirë trajnimin dhe shitjet me zbritje të armëve.
Gjatë dekadës së fundit, ambiciet e CSTO-së janë shtuar edhe më shumë. Në vitin 2007, organizata ra dakord të krijonte një forcë paqeruajtëse prej 3600 trupash dhe dy vite më vonë krijoi një forcë të reagimit të shpejtë me atë që pretendon se janë 20,000 personel elitar në gatishmëri të lartë. Aleanca ka zhvilluar gjithashtu stërvitje të përbashkëta, duke përfshirë një seri stërvitjesh të profilit të lartë “anti-terrorizëm” verën dhe vjeshtën e kaluar në përgjigje të kaosit në rritje në Afganistan.
Megjithatë, deri në këtë javë, asnjë anëtar i CSTO-së nuk kishte zbatuar ndonjëherë nenin 4 të traktatit të tij, një klauzolë mbrojtëse reciproke e ngjashme me nenin 5 më të njohur të NATO-s. Kaosi në rritje në Kazakistan, për të cilin Tokayev fajësoi “bandat terroriste” të trajnuara nga jashtë, ndryshuan situatën. Nikol Pashinyan, kryeministri i Armenisë, i cili mban kryesimin e radhës të CSTO, tha se grupi kishte rënë dakord të dërgonte paqeruajtës.
Përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, Taxhikistani dhe Armenia gjithashtu ranë dakord të dërgojnë kontingjente modeste. Përgjigja e shpejtë e aleancës mund të jetë një shenjë për anëtarët e tjerë të organizatës, duke përfshirë Alexander Lukashenko të Bjellorusisë, i cili u ndihmua nga Rusia dhe jo nga CSTO, vitin e kaluar kundër protestuesve të tij, dhe Emomali Rahmon të Taxhikistanit, i cili ka qëndruar në pushtet për 28 vite.
Në vitin 2010, kur Kirgistani kërkoi ndihmën e organizatës për ti dhënë fund shpërthimit të dhunës, Rusia nuk pranoi të ndërhynte. Një dekadë më pas, besimi rus është rritur.
Megjithatë, aleatët e Rusisë mund të jenë gjithashtu të shqetësuar. CSTO nuk i mbështeti luftërat e Rusisë kundër Gjeorgjisë në 2008 dhe Ukrainë në 2014. Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, ka pohuar prej kohësh se Kazakistani, ashtu si Ukraina, nuk janë një vend i vërtetë, por janë pjesë e “botës së madhe ruse”.
Çmimi i pushtetit të Tokayev mund të jetë sovraniteti i vendit të tij. “CSTO tani ka vërtetuar se është një aleancë mbrojtëse,” sipas Sergey Radchenko, një historian, i cili i ka bërë jehonë shprehjeve të vjetra sovjetike për Paktin e Varshavës tha: “Ai pushton vetëm anëtarët e vet.”