Aktualitet Trupi i Arben Lleshit mbetet në morg, familjarët se tërheqin nga frika...

Trupi i Arben Lleshit mbetet në morg, familjarët se tërheqin nga frika e hakmarrjes

Instituti i Mjekësisë Ligjore i kërkon prokurorisë së Elbasanit të japë leje për varrimin e Arben Lleshit. Dy muaj pas ekzekutimit të Arben Lleshit brenda burgut në Peqin, familja e tij ka refuzuar të tërheqë trupin për shkak të frikës nga hakmarrja.

Prokuroria e Elbasanit e kontaktuar nga News 24 tha se do ta miratojë lejen dhe më pas është drejtoria përkatëse pranë Bashkisë që kryen varrimin e Arben Lleshit.

Hetuesit dyshojnë se Sokol Mjacaj ka vepruar dhe vrarë të burgosurin Arben Lleshin kundrejt pagesës, por nuk ka mundur ende të identifikojë urdhëruesit. Mjacaj ka dhënë disa dëshmi para hetuesve, por këta të fundit thonë se ai jep alibi jo të besueshme, por po i keqorienton në pistat e hetimit.

Ndërkohë autori Sokol Mjacaj ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë për vrasjen e Arben Lleshit në ambientet e burgut të Peqinit, në mesin e muajit Dhjetor. Fillimisht, Mjacaj kishte deklaruar se vrasjen e kishte kryer pas një sherri për sektorin ku do të vuante dënimin, por grupi hetimor dyshon se ai ka bashkëpunuar dhe me persona të tjerë brenda burgut. Një prej të dyshuarve është edhe Indrit Shaqja, i dënuari me burg të përjetshëm që mbeti i plagosur ditën që u vra Lleshi.

Çfarë ndodhi në Peqin?

Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015.