Aktualitet Trupin ia gjetën copa-copa në kanal, flasin fëmijët e Shefki Kurtit: Babai...

Trupin ia gjetën copa-copa në kanal, flasin fëmijët e Shefki Kurtit: Babai ynë nuk kishte armiq

“Babai ynë nuk kishte armiq, ishte i vlerësuar nga të gjithë, nuk e urrente askush”. Kështu shprehen fëmijët e Shefki Kurtit, 71-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u gjet në një kanal i prerë në copa. Ndryshe nga çfarë thonë Alketa dhe Arbeni, autoritetet mendojnë ndryshe. Dikush e urrente aq shumë Kurtin saqë e vrau në atë mënyrë dhe më pas u mundua të zhdukë gjurmët.

Të fundit që e kanë parë 71-vjeçarin gjallë kanë qenë gruaja dhe djali. Karabinierët kanë shkuar në shtëpinë e tij në Badia për të gjetur ndonjë gjurmë. Ai banonte aty me bashkëshorten me të cilën kishte 40 vjet që ishte martuar. Ajo që dihet deri më tani është se më 22 Korrik, pensionisti shqiptar, i cili më parë kishte punuar si punëtor ndërtimi, ishte larguar nga shtëpia pas një debati me të shoqen. Dy ditë më vonë, djali ka denoncuar në polici zhdukjen e babait. Më 1 Gusht u bë zbulimi shokues ku pjesë të ndryshme të trupit të Kurtit u gjetën të hedhura në një kanal.

Më 28 Korrik u zbulua fillimisht një këmbë. Më pas autoritetet gjetën trupin dhe kokën të futura në një thes. Pastaj u gjetën krahët dhe në fund u gjet këmba tjetër, të gjitha të futura në thasë. Identifikimi i trupit u bë nga familjarët për shkak të një tatuazhi që kishte Kurti.

Të martën autoritetet kontrolluan shtëpinë ku Shfekiu jetonte me gruan, Nadiren. Kjo e fundit pas ngjarjes është zhvendosur në Masi, aty ku jeton djali. Prokuroria ka hapur një dosje për vrasje të qëllimshme dhe dëmtim të kufomës. Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar. Sipas autoriteteve, Kurti kur është larguar nga banesa nuk e ka marrë me vete celularin. Edhe makinën e kishte në garazh. Autoritetet po hetojnë financat e familjes, për të zbuluar nëse kanë ndonjë borxh. Sipas hetimeve çifti i të moshuarve jetonin me një pension prej 1 mijë Eurosh në muaj, por nuk kanë pasur problematika nga ana financiare.

Shefki Kurti kishte shkuar në Itali në vitin 1991 së bashku me gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Ai ishte nga Durrësi. Pasi kishte mbërritur në shtetin italian, u vendos në Villanova del Ghebo dhe filloi të punonte në ndërtim. Njerëzit e kanë përshkruar si burrë të denjë, dhe ndaj tij nuk ka pasur kurrë asnjë ankesë. Shtëpinë ku jetonte me gruan e kishte blerë para disa vitesh me sakrifica të mëdha dhe aty ka rritur dy fëmijët e tij, Alketën dhe Arbenin.

Vajza prej disa vitesh jeton në Zvicër me familjen e saj, por është kthyer menjëherë kur ka marrë vesh për tragjedinë. Djali, Arbeni, provoi fatin e tij në botën e argëtimit. Pas një karriere si DJ ai mori nën menaxhim një lokal. Një aktivitet që kërkonte një investim të mirë, por Covid i ka prishur të gjitha planet. Tani djali jeton me familjen e tij në Masi, në zonën e Padovës.

“Nuk u dhamë asnjë pistë karabinierëve. Babai im nuk kishte njeri që i donte të keqen, nuk shkonte as lokaleve”, janë shprehur dy fëmijët të cilët kanë kërkuar nga mediat italiane që të lihen të qetë pas kësaj tragjedie.