Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras me anë të një mesazhi në Facebook e cilësoi historik votimin që ratifikoi marrëveshjen e Prespës, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është një vend mik dhe aleat.
Homologu i tij maqedonas e uroi duke thënë se ky është një sukses i të dy popujve.
“Sot është një ditë historike. Greqia mbrojti një pjesë të rëndësishme të historisë së saj, trashëgiminë e Greqisë së lashtë”.
Me këtë fjali kryeministri grek Tsipras uroi nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook, ratifikim e marrëveshjes së Prespës në parlamentin e vendit.
Kreu i ekzekutivit grek shtoi se sot u shkrua një faqe e re për Ballkanin; dhe se urrejtja e nacionalistëve e konfliktet ia lanë vendin miqësisë, paqes dhe bashkëpunimit.
“Maqedonia e Veriut që lindi sot, do të jetë një vend mik. Aleat i Greqia në përpjekjet për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin në rajon”.
Nga ana e tij kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev uroi homologun grek për suksesin e arritur duke e konsideruar si një arritje të dy popujve
“Urime miku im Aleksis Tsipras, bashkë me popujt tanë shkruam historinë fitimtare. Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës, qofshin të përhershme paqja dhe progresi në Ballkan dhe Evropë“, shkruan Zaev.