Vetëm 8 për qind e të huajve që hynë në vend në maj fjetën në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit, të paktën sipas të dhënave zyrtare. Kjo pasi një pjesë e mirë e tyre që hyjnë në vend ose janë kalimthi, ose akomodohen në struktura informale.
Turistë e huaj po vijnë, por duket se nuk po flenë në hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira në vendit, të paktën sipas të dhënave zyrtare. INSTAT tregon se në Maj, nga mbi 705 mijë të huaj që hyjë në vend, vetëm 57 mijë 958 apo thënë ndryshe 8.2 për qind e totalit u akomoduan. Pjesa tjetër ndahet midis atyre që janë vetëm kalimthi në vend dhe strukturave akoma informale.
“Sot ne kemi struktura akomoduese gjysmë-plotë, për të mos thënë edhe bosh. Kjo tregon vërtetë situatën dhe siç e kemi thënë më shumë ne jemi vend transit. Kjo mund të vijë edhe si pasojë e shtimit të numrit të strukturave akomoduese që nuk janë të përfshira në sistemin e integruar të turizmit, por gjithsesi mund të themi që shumë pak të huaj flenë në Shqipëri”, tha pedagogu në departamentin e turizmit, Ferjolt Ozuni.
Krahasuar me një vit më parë, numri i turistëve të huaj të akomoduar në maj është rritur me 38 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
“Nëse marrim të mirëqenë standardin dhe metodologjinë e zbatuar edhe vitet e tjera, duket të pranojmë se kemi rritje. Kemi më shumë të strehuar dhe rrjedhimisht më shumë përfitime financiare për ekonominë e vendit”, shtoi Ozuni.
Të dhënat e INSTAT tregojnë ndërkohë se pjesa më e madhe e turistëve të huaj, mbi 41 për qind u akomoduan në hotelet dhe apartamentet me qira kryesisht në Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Në Tiranë, Durrës dhe Elbasan qëndruan mbi 38 për qind e turistëve, ndërsa pjesa tjetër u akomoduan në bujtinat e veriut të vendit./A2 CNN