Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan dhe Zonat e tjera të Mbrojtura në vendin tonë, janë një atraksion i rëndësishëm turistik, por mungesa e infrastrukturës dhe vështirësitë në menaxhimin e tyre kanë bërë që këto destinacione të mos shfrytëzohen aq sa duhet deri më tani. Ndotja; gjuetia e paligjshme; infrastruktura; guroret; prerjet e pyjeve apo zjarrëvëniet janë disa nga problemet me të cilat përballen këto zona në Shqipëri.
Pikërisht për të përmirësuar këtë situatë dhe efikasitetin e menaxhimit të zonave të mbrojtura detare dhe bregdetare, PNUD në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura kanë nisur zbatimin e një projekti 3 vjeçar (2018-2020), të financuar nga qeveria italiane (Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim). Projekti që kap shifrën 1 milion euro synon të mbroj në mënyrë efektive biodiversitetin; të mirëmbajë gjendjen e eksositemeve dhe të sigurojë një burim të qëndrushëem të zhvillimit të turizmit dhe rritjes ekonomike përmes këtyre zonave të mbrojtura.
Gjatë një takimi që PNUD zhvilloi në qytetin e Vlorës ku morën pjesë dhe gazetarë nga mediat më të rëndësishme në vend u fol për projektin në fjalë dhe nismat konkrete të marra deri më tani për menaxhimin e Zonave të Mbrojtura.
I pranishëm në këtë takim prefekti i Vlorës z.Flamur Mamaj theksoi se bashkë me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë, janë përpjekur të përmirësojmë ndjeshëm situatën në ZMD, nisur kjo edhe nga indiciet mediatike. “Është e vërtetë që në këto zona ka mbetje urbane; prerje pyjesh dhe zjarrvënie; gurore, dhe ne jemi munduar ti mbrojmë këto zona në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, me Bashkinë dhe institicione të tjera. Problem mbetet infrastruktura në në plazhet e zonave të mbrojtura si Karaburuni. Është e vështirë ti administrosh këto plazhe sidomos sa i përket ndotjes, pasi duhet një kordinim i të gjithë aktorëve për menaxhimin e mbetjeve. Ne herë pas herë kemi ndërmarrë aksione pastrimi por kjo nuk është zgjidhje, duhet sensibilizmim dhe bashkëpunim”, tha prefekti Mamaj mes të tjerash, ndërsa shtoi se është punuar shumë edhe për zbatimin e rregullave të sigurisë dhe kufizimeve të thellësisë së ujit me 3 nivele tapash; portokalli, jeshile, e kuqe. Ndërkohë që për 2019-ën sipas prefektit do të ketë më shumë kotrolle të anijeve që transportojnë turistë në zonat e mbrojtura. Prefekti tha se është vendosur që më datë 21 Mars 2019, në Ditën Botërore të Ujit të hapet sipari i Komitetit të Zonave të Mbrojtura, ku do të flitet më gjërësisht për masat dhe strategjitë mbrojtëse në ZMD.
Zona e Mbrojtur Karaburun-Sazan
Violeta Zuna, menaxhere e projektit të PNUD në Vlorë, theksoi se qëllimi i projektit është që të sigurojë një mbrojtje afatgjatë të biodiversitet unikal shqiptar për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. “Ngritja e një rrjeti të ZMDB për të patur një ekosistem të shëndetshëm, produktiv dhe të rigjenerueshëm, që i jep shërbimet e duhura komunitetit duke ruajtur biodiversitetin detar të Shqipërisë është objektivi kryesor. Konkretisht për ZM Karaburun –Sazan falë projektit dalëngadalë po bëhet i mundur një turizëm i qëndrueshëm; peshkim sipas standardeve; funksionim i qendrës së vizitorëve; vëzhgime, kontrolle, patrullime, forcim i kapaciteteve institucionale; rritja e aftësive menaxhuese; ndihmë logjistike dhe pajisje; tabela informimi; kamera për monitorimin e specieve; publikime të ndryshme etj”, tha Violeta Zuna.
Grumbullimi i vajit të përdorur
Falë asistencës së PNUD për herë të parë në Vlorë u zbatua projekti për grumbullimin e vajit të përdorur; ku gjatë vitit 2018 nga restorante dhe lokalet e Vlorës u grumbullua 1.8 ton vaj i përdorur. Tonelatat e vajit dërgohen në Itali për tu ripërdorur pasi Shqipëria nuk ka laboratorë dhe ambiente të posaçme për këtë proces. Kjo iniciativë konsiderohet shumë e rëndësishme pasi më herët i gjithë vaji i përdorur derdhej në det duke shkaktuar ndotje masive.
Administrata Rajonale Vlorë
Lorela Lazaj, përfaqësuese e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Vlorë theksoi se pavarësisht stafit të vogël në numër dhe faktit që zyra është shumë e re që nga hapja e saj në vitin 2015, është bërë një punë kolosale dhe me mjaft përkushtim për menaxhimin e zonave të mbrojtura në Vlorë. “Kemi 6 zona të mbrojtura në Vlorë; 3 parqe kombëtare; 2 rezerva natyrore; 1 peizazh i mbrojtur; 89 monumente natyre, ku Vlora ka të vetmin Park Kombëtar Detar Karaburun-Sazan; dunat më të vjetra në bregdetin e Adriatikut. Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan me vlera të jashtëzakonshme natyrore; kulturore dhe historike po kthehet çdo vit e më shumë në një destinacion të vizitueshëm ku gjatë vitit 2018, rreth 63 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar Parkun, ku 33 mijë ishin shqiptarë dhe 30 mijë të huaj”, tha Lorela Lazaj, ndërsa nënvizoi si pikë të rëndësishme menaxhimin e mbetjeve, si dhe kontrollin e peshkimit dhe gjuetisë së paligjshme, edhe pse është bërë punë shumë e mirë me vendosjen e disa kamerave të cilat kanë evidentuar praninë e kafshëve të rralla, gjë që përmes videove është kthyer në një shërbim turistik përmes rrjeteve sociale.
Përfaqësues të tjerë të stafit të Zyrës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë theksuan se vitin e kaluar janë mbrojtur 12 breshka uji (caretta-caretta) pranë qendrës së rehabilitimit të kafshëve ujore, të cilat konsideroheshin si gjah nga peshkatarët më herët, ndërkohë që në fokus janë edhe fokat murgeshë specie të rralla të zonës që jetojnë në ujërat detare afër shpellave apo kanioneve të zonës.Në këtë drejtim edhe peshkakatarët e zonës siç është edhe z.Sherif Durmishi, (Baçi siç e njohi të gjithë), nga Qendra e Peshkimit Orikum, janë përfshirë në aksione të përbashkëta kundër peshkimit të paligjshëm dhe aktivitete për promovimin e një peshkimi të qëndrueshëm.
Të ardhurat nga Zonat e Mbrojtura
Një pikë shumë e rëndësishme që po diskutohet me instancat përkatëse është fakti që të gjenerohen të ardhura nga zonat e mbrojtura, dhe këto taksa të kalojnë në buxhet të Administratës e cila do ti investojë këto para sërish për menaxhimin e Zonave të Mbrojtura. “Ne kërkojmë të kemi një lloj pavarësie financiare si Agjenci e Zonave të Mbrojtura, ku të ardhurat që do të mund të sigurojmë përmes ankorimit të anijeve dhe vizitorëve ti përdorim po për menaxhimin e këtyre zonave. Për më tepër Agjencia e Zonave të Mbrojtura duhet të përfshihet ndër institucionet që kanë të drejtë të japin lejet apo licencën e çdo anije apo mjeti lundrues që kërkon të ankorojë apo të transportojë turistë brenda zonave të mbrojtura. Ne jemi aktorët kryesorë që e njohim terrenin nga afër, dhe nuk jemi pjesë e dhënies së licencave”, thanë përfaqësues të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Vlorë.