Shqipëria ka njohur shifra rekord turistësh gjatë vitit të kaluar, e akoma më të larta janë pritshmëritë për këtë sezon turistik.
Për shkak të zhvillimeve pozitive në sektorin e turizmit në Shqipëri, Komisioni Europian i Organizatës Botërore të Turizmit u mblodh në Tiranë këtë të hënë për takimin e 70-të.
Kryeministri Edi Rama theksoi nevojën për të adresuar disa sfida që vijnë me rritjen e turizmit dhe për të mos bërë gabimet e vendeve të tjera elitare në turizëm.
Një ndër to është të ruhet natyra dhe identiteti, të cilën Kryeministri Edi Rama e theksoi në fjalën e tij.
“Me më shumë se 10 milionë turistë vjet dhe me shifra shumë të larta gjatë 3 muajve të parë të vitit. Ky nuk është vetëm sukses, por është edhe sfidë e madhe sepse ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të mendojmë nëse dëshirojmë që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme, në rast se duam që Shqipëria të jetë destinacion ku turizmi të jetë vlerë e shtuar duke bërë bashkë njerëz nga vende nga më të ndryshmet dhe për t’i bërë ata të ndihen që kanë ardhur në Shqipëri dhe jo ndokund tjetër. Duhet të ruajmë natyrën, të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur, të mahnitshme dhe duhet t’i gërshetojmë këto të dyja që njerëzit të marrin më shumë nga puna e tyre, por nga ana tjetër edhe që të kenë mundësi të lënë më shumë nga Shqipëria për brezat e ardhshëm. Nuk duam ta humbasim vendin tonë duke ndërtuar një destinacion turistik. Unë besoj që ne nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime, nga gabimet tuaja ne duhet të nxjerrim mësime. Dhe për këtë arsye jam këtu në këtë takim, sepse ajo që po bën kjo organizatë është vërtetë fantastike. Këtu nuk bëhet fjalë për të shkuar nga njëri vend tek tjetri, por bëhet fjalë për ndarjen e njohurive, përvojave, gabimeve që janë bërë në të shkuarën që ato të mos përsëriten. Shpresoj që ne do mësojmë sa më fortë të jetë e mundur. Ne tashmë i kemi bërë disa gabime tona. Të mos harrojmë që jetojmë midis grekëve, italianëve e të jesh mes tyre do të thotë të jesh në dolçe vita e ti bën edhe gabime. Sepse nga njëra anë nuk e ke kuptuar plotësisht bekimin që të ka dhënë Perëndia. Por ne nuk jemi Zvicër dhe ndoshta është më mirë të mos jemi, por duhet të kemi të njëjtën mënyrën të kuptuari që kanë zviceranët për të kuptuar se çfarë duhet t’u lëmë brezave të ardhshëm që t’ia u lëmë më mirë”, theksoi Rama.
Duke shprehur kënaqësinë për rritjen galopante të turizmit në Shqipëri, kreu i qeverisë solli në vëmendje sa i mbyllur ka qenë vendi ynë për të huajt.
“Në këto vite jetë tonat, e kam fjalën për brezin tonë, ne kemi njohur një periudhë të historisë në të cilën kemi qenë tërësisht të ndarë e të veçuar nga të gjithë ju, nga ju që keni ardhur nga Perëndimi por edhe për ju që keni ardhur nga Lindja. Për ju që vini nga Lindja mund ta kuptoni më mirë ndoshta. Ajo çka kemi kaluar ne është përtej imagjinatës të izolimit që kemi përjetuar dhe brutalitetit që kemi hasur. Deri përpara 30 vitesh kemi patur vetëm 5 mijë turistë dhe nuk kanë qenë të zakonshëm por kanë qenë 5 mijë turistë marksistë-leninistë, historiku i të cilëve ishte parë me imtësi nga autoritetet e atëhershme që vinin nga partitë ekstreme të majta të gjithë botës. Ata kishin ardhur në një vend që ishte krenar që siç na thonin ne, ishim i vetmi vend i vërtetë marksist-leninist në botë dhe kalonin doganën në Aeroportin e Rinasit, dhe menjëherë duhet të kalonin te berberi nëse kishin mjekër ose flakë të gjata”, u shpreh Rama.