Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike po fliste para protestuesve, një pjesë e tyre nisi sërish konfrontimin me kordonin policor, duke rikthyer tensionet para Kuvendit.
“Për gjashtë vite me radhë kjo bandë kriminale vodhi dhe varfëroi shqiptarët, i gjobiti dhe ju rriti çmimet e kostos bazë të jetës”, tha Basha para protestuesve.
“Ky është njeriu që u bë simbol i krizës ekonomike, mungesës së shpresës për çdo shqiptar. Arma e tij gjatë këtyre viteve ka qenë mashtrimi dhe propaganda e ndyrë. Njëlloj saç mund të ngjallet kufoma e Enver Hoxhës, mund të ngjallet edhe kufoma politike e Edi Ramës. E di që keni ardhur për t’i dhënë fund regjimit të Maduros së Ballkanit dhe ta përcjellim për në qeli apo azil politik”, tha Basha.
Ndërkohë, turma e protestuesve kanë shtyrë efektivët e Shqiponjave dhe FNSH-së, ndërkohë që nuk kanë munguar shashkat, që u kanë vështirësuar frymëmarrjen policëve.
Policia e Shtetit ka përsëritur sërish thirrjen për ruajtjen e qetësisë. Ashtu si edhe në protestën e mëparshme, policia i është drejtuar organizatorit Gazment Bardhi, duke i kërkuar të ndalen aktet e dhunës.