Deputetët e opozitës që kanë mundur të hyjnë në Kryesinë e Kuvendit, duke u futur nga dritarja, kanë bllokuar punimet në komisionin e ligjeve. Mbledhja është ndërprerë pas debateve të ashpra mes demokratëve dhe socialistëve.
“Turp i zi!”, iu është drejtuar deputeti Dash Sula kolegëve nga mazhoranca. “Kam qenë unë në 2005-2013, që u kemi mbyllur derën. Kanë ardhur, kanë folur…”.
“Iu gënjen mendja se do bëni mbledhje normale tani”, iu drejtua deputetja tjetër e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi.
“Ne e dimë që nuk e keni marrë ju vendimin, ju jeni kolegët tanë, por kjo situatë nuk shkon”, tha Asllan Dogjani.
Përveç komisionit të ligjeve për të hënën ishin parashikuar të mblidheshin edhe katër komisione, ai i Ekonomisë, Shëndetësisë, për Politikat e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese. Mësohet se komisioni i Jashtëm është shtyrë, ndërsa ai i Ekonomisë u zhvillua online, me praninë vetëm të deputetëve socialistë.
“Merrte 3 mijë euro për çdo të punësuar në arsim”, Bardhi akuza Nikollës pas urdhrit për ndalimin e deputetëve të opozitës
“Regjim privat” e ka cilësuar Gazment Bardhi, urdhrin për përjashtimin e deputetëve të opozitës nga punimet e Kuvendit për 10 ditë, ndërkohë që garda ka rrethuar kryesinë e kuvendit për të mos i lejuar të futen brenda. Në një deklaratë për mediat, Bardhi akuzoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla se e trajton Kuvendin si vilën e saj.
Sipas tij, ajo është akuzuar gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Arsimit se merrte 3 mijë euro për çdo punësim.
“Regjim privat, i vendosin vetë rregullat, i ndryshojnë sa herë të duan. Nuk kam marrë asnjë shkresë është thjesht një urdhër verbal i kryetares së Kuvendit në shpërdorim detyre. E trajton kuvendin si vilën e blerë me paratë e korrupsionit. Është e vetmja ministre që është akuzuar nga kolegët e saj socialistë që çonte shoferin të merrte 3 mijë euro për çdo të punësuar në arsim. E ka të arrestuar shoferin. Dhe tani e trajton këtë godinë si 3 mijë eurot e punësimit në arsim, gjatë kohë së drejtonte Ministrinë e Arsimit.”
Bardhi theksoi se sot është shfaqur para shqiptarëve fytyra e vërtetë e Ramës.
“Mund të mblidhen te vila e Linditës për të miratuar buxhetin. Te shtëpia e Linditës duhet të shkojë SPAK e BKH për të verifikuar ligjshmërinë e blerjes së asaj vile. Ju duket normale kjo?! Sot ne kemi shfaqur në sytë e opinionit publik kush është fytyra e Edi Ramës. Të vendosësh 50 gardistë për të ndaluar deputetët e opozitës tregon që jemi në një regjim.”