Bota Turqia dërgon anije shpimi në Detin Mesdhe, Erdogan: Do të marrim atë...

Turqia dërgon anije shpimi në Detin Mesdhe, Erdogan: Do të marrim atë që na takon

Pas dy vjetësh ndërprerjeje Turqia dërgon një anije shpimi për gaz në lindje të Mesdheut. Për presidentin Erdogan kjo është kaq e rëndësishme sa që ai udhëtoi enkas në Mersin në jug të Turqisë për të qenë i pranishëm.

“Abdylhamid Han” do të kërkojë për gaz, derisa të gjejë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë inagurimit të anijes së re të shpimit në portin e Merinit. Ne do të marrim “atë që na takon”. Anija “Abdylhamid Han” fillimisht do të niset për në rajonin Iskenderun, tha ai. Zona e parashikuar për shpime ndodhet në veri të Qipros jo larg territoreve, për të cilat Turqia grindet me Greqinë dhe Qipron.

Parimisht i hedh poshtë rezervat greke dhe qipriote kundër misioneve turke të shpimit, tha Erdogan duke deklaruar, se Turqia ka të drejtën të kërkojë për gaz në territoret që i ka të vetat: “Ne nuk kemi nevojë të marrim leje nga ndokush.”

Anija “Abdylhamid Han”, sipas tij, është një “Simbol për vizionin e ri të Turqisë në sektorin e energjetikës”, tha Erdogan në Mersin. Sipas mediave turke anija e emërtuar sipas njërit prej sulltanëve osmanë fillimisht do të kërkojë për gaz deri më 7 shtator.

Grindje e vazhdueshme mes fqinjëve në lindje të Mesdheut

Konflikti për rezervat e gazit rëndon prej vitesh ndër të tjera marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë. Më 2020 të dy vendet për pak sa nuk u përplasën ushtarakisht, kur anija turke e shpimeve “Oruc Reis” nën eskortimin e anijeve luftarake ndërmori udhëtimet në kërkim të burimeve të gazit në jug të ishullit Rhodos. Marina greke u mobilizua. Vetëm pas largimit të “Oruc Reis” nga territoret e diskutueshme gjendja u qetësua.

Greqia akuzon Turqinë, se po kryen hulumtime në mënyrë tërësisht ilegale. Qeveria në Ankara i hedh poshtë akuzat dhe mbron pozicionin, se kërkimi i gazit është konform ligjit, pasi ujërat ku operohet shtrihen në harkun tokësor turk. Si Greqia dhe Qiproja si vende anëtare të BE-së, ashtu edhe Turqia kanë pretendime ndaj rezervave të gazit të zbuluara në tabanin e detit në lindje të Mesdheut.

Pavarësia energjetike po vendoset gjithnjë e më shumë në fokus edhe në Ankara

Në plan të parë Turqia synon zbulimin dhe shfrytëzimin e rezervave të gazit, shkruan në një artikull Christian Schaller, studiues pranë fondacionit gjerman “Shkenca dhe Politika”. “Por në radhë të parë Turqia synon edhe dominancën maritime në rajon.” Gjestet që tani sërish po bëhen agresive kundrejt Greqisë, sipas disa vëzhguesve pjesërisht kanë të bëjnë edhe me zgjedhjet që do të zhvillohen në Turqi duke ua shpjeguar ato klientelës së zgjedhësve si gjeste nacionaliste.

Lufta sulmuese ruse në Ukrainë e ka nxjerrë në fokus aspektin e furnizimit me energji. Turqia vitin e kaluar një të katërtën e naftës dhe pothuajse gjysmën e importeve të gazit i ka marrë nga Rusia dhe tani po përpiqet ta minimizojë këtë varësi.