Kryesore Turqia dhuron dronë kamikazë, Rama: Mesazh i qartë se Shqipëria është e...

Turqia dhuron dronë kamikazë, Rama: Mesazh i qartë se Shqipëria është e pagoditshme

Kryeministri Edi Rama falënderoi presidentin Erdogan edhe për “dronët kamikazë” që tha se Turqia ia ka dhuruar Shqipërisë.

“Dhurata nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, tha Rama në deklaratën e përbashkët për mediat me presidentin turk.

Rama theksoi se ambicia aktuale është që niveli i shkëmbimeve tregtare mes vendeve është kapja e tavanit 2 miliardë euro.

“Jam vërtet shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit ku jo vetëm forcuam bindjen për ta forcuar këtë bashkëpunim, por mundëm të vlerësojmë zbatimin konkret të marrëveshjeve të bëra dhe potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj marrëdhënieje. Presidenti turk e përsërit sa herë takohemi, që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron si duhet potencialin mes dy vendeve.

Ambicia jonë është që sa më shpejt ne të arrijmë tavanin e 2 mld eurove për të çelur një fazë të dytë më edhe më shumë zhvillim të këtyre shkëmbimeve. Ndava kënaqësinë që në tërësinë e zhvillimit të turizmit në vendin tonë, numri i qytetarëve turq që e kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të vitit është rritur me 85%. Nga ana tjetër duke parë interesimin në rritje të agjencive turistike të vendit mik ne jemi besimplotë që vitin e ardhshëm që ky numër do jetë ende më mbresëlënës. Ramë plotësisht dakord që duhet të bëhet më shumë për investime nga ana turke në sektorin e turizmit ku e dimë të gjithë dhe falë zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë një transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mikpret, por ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer.”