Turqia do të kërkojë që të gjithë pasagjerët që mbërrijnë përmes rrugëve ajrore duke filluar nga 28 dhjetori dhe të gjithë udhëtarët që mbërrijnë përmes rrugëve ajrore, tokësore dhe detare duke filluar nga 30 dhjetori, të kenë me vete rezultat negativ të testit PCR jo më të vjetër se 72 orë para nisjes së tyre, njoftoi ministri i Shëndetësisë.
“Përndryshe, ata nuk do të lejohen të hyjnë në vend”, tha në Twitter ministri Fahrettin Koca, si pjesë e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).
Koca tha se Turqia ndjek zhvillimet më të përditësuara shkencore dhe po merr masat e nevojshme për të mbajtur nën kontroll pandeminë, e cila vazhdon të kërcënojë botën.
“Ata që nuk kanë rezultat negativ të testit PCR nuk do të lejohen të hyjnë në aeroplan në rrugën për në Turqi”, shtoi ai.
Ai tha se ishin të nevojshme masa të reja për mbërritjet ndërkombëtare në Turqi për shkak të rritjes së numrit të rasteve në gjithë botën dhe përshpejtimit të pandemisë.
“Ata që nuk paraqesin testin e tyre (negativ) në portën kufitare kur të hyjnë në vendin tonë do të futen në karantinë në adresat ku ata banojnë. Kjo masë do të vazhdojë deri më 1 mars 2021”, thuhet në deklaratë.
Më herët, linja ajrore kombëtare Turkish Airlines gjithashtu njoftoi se i detyron të gjithë pasagjerët e fluturimeve ndërkombëtare të paraqesin rezultat negativ të testit të koronavirusit PCR jo më të vjetër se 72 orë para hipjes.