Edhe Turqia ka në plan të ketë një mision të sajin në Hënë që pritet ta realizojë brenda dy vitesh. Lajmin e konfirmoi presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili muajin e kaluar pati edhe një komunikim me shefin e kompanisë “Tesla”, Elon Musk, në lidhje me mundësinë.
“Ulja e parë në Hënë do të bëhet me raketën tonë kombëtare dhe autentike hibride, që do të lëshohet në orbitë në fund të vitit 2023, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Erdogan.
“Këmbët tona do të jenë në tokë, por sytë tanë do të jenë në hapësirë. Rrënjët tona do të jenë në tokë, degët tona do të jenë lart në qiell”, u shpreh presidenti turk.
“Programi kombëtar hapësinor do ta çojë vendin tonë në një rang më të lartë kur bëhet fjalë për garën globale hapësinore”, theksoi Erdogan në ceremoninë e prezantimit të programit në Ankara.
Duke treguar se Agjencia Turke e Hapësirës ka përgatitur një program që gjithashtu do të zbatohet, Erdogan tha se Turqia po hap derën për udhëtimin qiellor të civilizimit të saj, i cili ka qenë një pionier i drejtësisë, moralit dhe paqes në botë për shekuj me radhë.
“Misioni kryesor dhe më i rëndësishëm i programit është të bëjmë kontaktin e parë me Hënën në 100-vjetorin e Republikës sonë, në 2023”, tha Erdogan.
Sipas tij, Turqia, brenda programit kombëtar hapësinor, synon të krijojë një sistem rajonal të pozicionimit dhe kohës.
Erdogan gjithashtu tha se Turqia synon të hyjë në hapësirë dhe të krijojë një stacion hapësinor.
Një nga qëllimet e programit është rritja e aftësisë konkurruese të vendit në hapësirë duke investuar në zhvillimin e teknologjisë, e cila do të përdoret për eksplorimin e hapësirës, por edhe meteorologjinë.