Më 10 tetor, Turqia do të marrë komandën e forcave të NATO-s në Kosovë nga Italia, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, kundëradmiral Zeki Akturk.
Siç raporton Bloomberg, Turqia ka marrëdhënie të mira me të dyja palët, pasi ka zhvilluar lidhje tregtare me Serbinë, ndërsa nga ana tjetër furnizon Kosovën me drone luftarake.
Turqia i sheh marrëdhëniet personale të presidentit Rexhep Tajip Erdogan me presidentin serb Aleksandar Vuçiç si potencialisht kyçe për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës pas sulmit të javës së kaluar në fshatin Banjska, sipas burimeve të njohura me këtë çështje.
SHBA i bëri thirrje Serbisë që të tërheqë trupat e saj nga kufiri dhe të mbajë përgjegjës organizatorët e dhunës në të cilën u vra një polic i Kosovës dhe tre persona të tjerë.
Edhe Bashkimi Europian ka shprehur të njëjtën gjë.
Turqia planifikon t’i bëjë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përmbahen nga veprimet që mund të shkatërrojnë përpjekjet e viteve për normalizimin e marrëdhënieve, thanë burime të paidentifikuara për Bloomberg.
Gjeneralmajor i ushtrisë turke Ozkan Ulutas mbërriti në Kosovë të martën për të marrë komandën e misionit, i cili përfshin rreth 600 forca turke.
Aktualisht, rreth 3,500 ushtarë të NATO-s janë të dislokuar në Kosovë, që është një rënie e ndjeshme krahasuar me 50,000 që ishin në kulmin e pranisë së Aleancës në atë vend.
Lamtumira italiane
Komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Angelo Michele Ristuccia njoftoi sot se trupa shtesë nga Rumania dhe “vendet e tjera aleate” do të arrijnë së shpejti në Kosovë.
Në konferencën e lamtumirës për media në Prishtinë, në prag të largimit nga pozita e komandantit të KFOR-it, Ristuccia vlerësoi se është i nevojshëm shtimi i trupave në Kosovë në mënyrë që misioni të përmbushë mandatin e tij. Ai ka vlerësuar se incidentet e fundit në veri të Kosovës “tregojnë se situata është ende e paqëndrueshme dhe se mund të tensionohet shpejt”.
“Vetëm një zgjidhje politike mund të garantojë paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit”, deklaroi gjenerali italian dhe përsëriti mbështetjen e misionit të KFOR-it për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.
Ristuccia vlerësoi se Kosova tani është më e qetë se ditët e kaluara, por paralajmëroi gjithashtu se mund të ndodhë destabilizimi nëse të dyja palët “nuk ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar zgjidhjen politike”.
I pyetur për mundësinë e ndërtimit të një baze të re ushtarake në Kosovë, gjenerali italian tha se nuk e sheh të nevojshme.