Turqia ka reaguar për herë të parë për idenë e ndryshimit të kufijve të Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar Perëndimin se kjo nismë do të nënkuptonte luftë jo vetëm për rajonin, por për mbarë Europën. Ankaraja zyrtare shpreh shqetësimin se ky propozim duhet të hidhet poshtë me forcë, në vend që të bëhet temë diskutimi në takimet e nivelit të lartë.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se ishte i siguruar pas vizitës së tij në Lubjanë, se Sllovenia nuk ka qenë autorja e letrës fantazmë që sugjeronte ndryshimin e gjerë të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
“Sllovenia nuk mbështet në asnjë mënyrë pozicionet e paraqitura në letrën jo zyrtare”, tha Çavuşoğlu në Sarajevë pas takimit me homologen e tij boshnjake Bisera Turković. Turkovic tha se asaj i ishin dhënë garanci nga ministri turk se vendi i tij mbështeste fuqimisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë Hercegovinës.
“Turqia kundërshton me forcë çdo diskutim rreth rivendosjes së mundshme të kufijve në Ballkan dhe dëshiron ruajtjen e stabilitetin dhe bashkëpunim më të fortë midis vendeve në rajon”, shtoi ministri i jashtëm i Turqisë.
Duke folur për mediat boshnjake, Çavuşoğlu tha se debatet mbi sovranitetin ose integritetin territorial të Bosnjës ose të ndonjë vendi në rajon kërcënon stabilitetin jo vetëm të atij vendi, por edhe të fqinjëve të tij, rajonit dhe kontinentit.
“Nëse marrim si shembull Bosnjën, duhet të kemi parasysh se po flasim për një situatë që mund të rrezikojë stabilitetin e Ballkanit dhe madje edhe të Evropës. Turqia, si një vend ballkanik, i jep mbështetje të plotë unitetit politik dhe integritetit territorial të Bosnjën”, tha ministri i jashtëm turk. “Për ne çdo dokument që vë në dyshim integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës është “shumë i rrezikshëm” për Ballkanin dhe do të thotë luftë jo vetëm për rajonin por edhe për pjesën tjetër të Europës”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Europa shprehën po ashtu së fundmi gjithashtu mbështetje për kufijtë territorialë të Bosnjë-Hercegovinës, të cilat kohët e fundit janë vënë në pikëpyetje edhe nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara në vend, i cili është kritikuar nga Rusia. Diskutimet për ndryshimin e kufijve në rajon kanë ngjallur shqetësim të jashtëzakonshëm, duke mbërritur jo vetëm në OKB, por edhe në samtin e G7-ës në Londër.
Gjithçka nisi kur media sllovene “Necenzurirano” botoi muajin e kaluar një dokument, të dërguar në BE nga kryeministri i Sllovenisë, e cila propozonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën si dhe aderimin e pjesëve të Bosnjës në Serbi dhe Kroaci dhe krijimin e një shteti të vogël boshnjak.
As Bashkimi Europian dhe as qeveria sllovene nuk e kanë mohuar ekzistencën e dokumentit, i cili ka bërë që kryeqytetet e Ballkanit të mbushen me spekulime se pse ky dokument u shkrua dhe u zbulua tani.