Turqia njoftoi dërgimin e anijeve për të kërkuar depozita nafte dhe gazi në zonën e diskutueshme të Mesdheut lindor, duke rritur tensionet me Greqinë fqinje dhe duke injoruar thirrjet nga vendet e BE për të mos e bërë këtë, raporton AP.
Forcat e Armatosura Greke janë në gatishmëri, u njoftua në Athinë.
Autoritetet turke thonë se anija kërkimore Oruc Reis dhe dy ndihmës do të kërkojnë deri në 2 gusht në jug të ishujve grekë Rodos, Karpathos dhe Kastelorizo.
“Turqia ka rritur agresionin e saj ndaj Greqisë, Qipros dhe Bashkimit Evropian në tërësi”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Edhe pse aleatë të NATO-s, Greqia dhe Turqia janë në konflikt mbi të drejtën e shfrytëzimit të gazit dhe naftës në rajon.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po kritikojnë gjithnjë e më shumë Ankaranë për qëllimin e saj për të zgjeruar hulumtimin në fushat që Athina i konsideron të vetat.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili po viziton Athinën, i bëri thirrje Turqisë të shmangë “veprimet provokuese” dhe të angazhohet në negociata me Bashkimin Evropian.
“Ne kemi një pozicion shumë të qartë: ligji ndërkombëtar duhet të respektohet. Prandaj, përparimi në marrëdhëniet me Turqinë mund të arrihet vetëm nëse Ankaraja shmang provokimet në Mesdheun lindor,” tha Maas pas bisedimeve në Athinë me homologun e tij grek, Nikos Dendias.
Por nga ana tjetër, Turqia ka akuzuar Greqinë se po përpiqet t’i mohojë të drejtën për përfitimet e naftës dhe gazit në Detin Egje dhe Mesdheun lindor, duke argumentuar se kufijtë e zonës për shfrytëzim tregtar duhet të llogariten “në mënyrë të barabartë” nga linjat bregdetare greke dhe turke, dhe jo nga ishujt grekë.
Duhet kujtuar se ky hap i Turqisë ndodh në rikthimin e saj si fuqi globale, duke qenë e inspiruar nga e kaluara osmane si perandori dominante në 5 shekuj. Me anije, madje kaluar në tokë e jo det, u mor dhe Kostandinopoja. Te Turqia e viteve të fundit, ajo e udhëhequr nga Erdogan, Perëndimi, veçanërisht fqinji i saj, Greqia, po shohin “hije kërcënuese” të së kaluarës.