Kryeministri grek Aleksis Cipras do të vizitojë këtë të martë Turqinë, ku do të takohet me presidentin turk Rexhep Taip Erdoan në Ankara. Cipras shkon në Turqi me një plan prej 6 pikash, për të vijuar ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjin, pas një periudhe të vështirë mes dy vendeve.
Në axhendën e diskutimeve do të jenë: tensionet në Egje, Qipro, çështja e ekonomisë, energjisë, emigracioni, zhvillimin rajonal, dhe marrëdhëniet BE-Turqi.
Ndërkohë ministria e brendshme turke ka beret e ditur se Ankaraja Zyrtare do të ofrojë në total 5.6 milionë euro për ekstradimin 8 ushtarëve që morën azil në Athinë. Sipas autoriteteve turke ata janë të dyshuar për lidhje me klerikun Fet’hullah Gylen, armikun e përbetuar të Erdogan. Ende nuk ka një reagim nga pala greke për kërkesën e Turqisë. Por nëse Athina do te pranoje ose jo ofertën kjo do te mësohet pas takimit Cipras-Erdogan pasditen e kësaj të marte, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Një ditë para vizitës Cipras bëri të qartë se Greqia po bën përpjekje për të zgjidhur problemet me fqinjët ashtu siç ndodhi me Maqedoninë Veriore, duke hapur një faqe të re në ndërtimin e marrëdhënieve të mira.
Ndërsa për situatën në Qipro shefi i qeverise greke tha se do të përpiqet të gjejë një zgjidhje përfundimtare në të mirë të të dyja palëve. Pas vizitës në Ankara, kryeministri grek Aleksis Cipras, do të udhëtojë të mërkurën në Stamboll, ku do të takohet me patriarkun Ekumenik Bartolomeu dhe me përfaqësues të komunitetit grek.