Investimet turke në Shqipëri në 8 vitet e fundit janë dyfishuar. Ato kapin vlerën e 2.7 miliardë euro.
Turqia është partneri i katërt më i madh tregtar i Shqipërisë pas Holandës, Zvicrës dhe Italisë.
Sektorët ku dominojnë investitorët turq janë bankat, industria e rëndë që përfshin nxjerrjen dhe përpunimin e çelikut, sektori i ndërtimit dhe ai energjetikë.
Një nga kompanitë më të mëdha turke në Shqipëri është Banka Kombëtare Tregtare, e cila është kompania me normën më të lartë të fitimit në vitin 2020, 9.5 miliardë lekë fitim në 2020.
Disa kompani të tjera me investim turk janë Albtelecom dhe Kurum. Aktualisht, në vendin tonë veprojnë 600 kompani turke. Në këto kompani punojnë 15.000 qytetarë shqiptarë.
Qeveria turke po përfundon ndërtimin e 524 banesave në Laç pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Një tjetër vepër që po ndërtohet me financim nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë është edhe xhamia e Namazgjasë në Tiranë.
Politikisht, marrëdhënia mes kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan është shumë e afërt.
Kjo u duk kur Presidenti Erdogan ndërhyri në kulm të fushatës elektorale, duke premtuar ndërtimin e spitalit memorial të Fierit. Ai u zotua që do ta ndërtonte atë përpara zgjedhjeve duke treguar një mbështetje të hapur ndaj kryeministrit Rama.