Bisedimet për marrëveshjen e detit mes Tiranës dhe Athinës mund të ndjekin dy rrugë, përshpejtohen, ose të mbeten pezull për një kohë të gjatë pas zhvillimeve të fundit mes Greqisë, Libisë dhe Turqisë. Energjitë diplomatike të Athinës këto ditë janë përqëndruar në frontin jugor dhe jug-lindor për përcaktimin e kufijve detarë, pas një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar nga Turqia dhe Libia, që zgjerojnë ujërat territoriale të dy vendeve deri pranë ishullit të Kretës.
Marrëveshja është pjesë e një pakti më të gjerë bashkëpunimi mes Turqisë dhe Libisë, sipas të cilit dy vendet angazhohen të bashkëpunojnë me theks të veçantë në fushën ushtarake dhe sigurinë. Sipas mediave turke, qeveria libiane e ka miratuar këtë marrëveshje.
Bëhet fjalë për vendosjen e një korridori që shtrihet pa ndërprerje përmes Mesdheut nga brigjet e Libisë deri tek brigjet e Turqisë. Gjerësia e korridorit është 30 kilometra, duke zgjeruar hapësirën territoriale turke që shtrihet deri 10 kilometra nga brigjet e Kretës.
Marrëveshja është nënshkruar më 27 nëntor. Turqia e ratifikoi menjëherë atë, ndërsa në Libi miratimi i saj është bërë vetëm javën që kaloi me kërkesën “urgjente” të strukturave të përkohshme qeverisëse në vendin e Afrikës së Veriut, për të hyrë në fuqi.
Greqia ka reaguar duke njoftuar dorëzimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të këtij memorandumi duke deklaruar se ai shkel ligjin ndërkombëtar për ndarjen dhe vendosjen e kufijve detarë. Po ashtu, Athina pritet që të ngrejë këtë shqetësim edhe në Bruksel përgjatë kësaj jave.
Megjithatë, Ankaraja këmbëngul se marrëveshja nuk cenon asnjë vend tjetër në Mesdhe, se ajo është një marrëveshje e nënshkruar mes dy vendeve sovrane dhe në përputhje të plotë me të gjitha direktivat e përcaktuara nga ligji ndërkombëtar.
Por, nga përmbajtja e anekseve të memorandumit të nënshkruar mes dy vendeve, kuptohet qartë që shënjestra është Greqia. Pika e parë përcakton koordinatat gjeografike ku Turqia dhe Libia zgjerojnë ujërat e tyre territoriale në Mesdhe, ndërsa mes parashikimeve është edhe klauzola që detyron dy vendet nënshkruese që të njoftojnë njëra-tjetrën në çdo hap në rast të një negociatë me një vend tjetër për çështjen e kufirit detar.
Njëri prej vendeve me të cilat Libia nuk ka një marrëveshje për kufirin detar është Greqia dhe kjo do të thotë se në bisedimet e mundshme mes Tripolit dhe Athinës, Ankaraja do të ketë sy e veshë në tryezë, që detyrohen nga memorandumi në fjalë.
Greqia nga ana tjetër, përveç kundërshtimit ndërkombëtar po mundohet të shfrytëzojë raportin e ftohtë mes Presidentit egjiptian, Fatah al-Sisi me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan. Athina, sipas gazetës greke “To Vima” është vënë në kontakt me Kajron me shpresën e sendërtimit të një aleance mes dy vendeve kundër marrëveshjes Turqi-Libi, nisur nga fakti që vija ndarëse e përcaktuara nga Ankaraja dhe Tripoli mbivendoset mbi ujërat mesdhentare të pretenduara nga Egjipti.
Megjithatë, duke cituar burime diplomatike gazeta greke “To Vima” thotë se pavarësisht “mërisë” që ka me Erdogan, Egjipti nuk ka shfaqur asnjë interes për t’u rreshtuar në krah të Greqisë kundër marrëveshjes Turqi-Libi dhe hamendësohet se me gjasë Egjipti do të kundërshtojë marrëveshjen vetëm përmes një note verbale drejtuar Libisë.
Loja që hapet me Shqipërinë
Kjo situatë mund të pasojë dy skenarë që mund të ndikojnë edhe në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Skenari i parë është ai që Athina të përshpejtojë punën për nënshkrimin e një marrëveshjeje kufitare për detin me Shqipërinë për ta patur atë si precedent në përplasjen me Turqinë, Libinë, por edhe Egjiptin.
Qeveria e re greke deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal të drejtpërdrejtë për këtë temë, por që prej 18 tetorit, kur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu refuzua hapja e negociatave, Athina ka ngritur më shumë se një herë zërin kundër këtij vendimi dhe duket se po merr rolin udhëheqës në rajon për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor përmes nismave të ndryshme, përfshirë këtu edhe samitin e fundit informal në Bruksel mes ministrave të Jashtëm të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Çfarë e bëri qeverinë greke që të ndryshojë qëndrim në një kohë kaq të shkurtër, kur vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis, para se të merrte këtë detyrë kërcënonte me bllokim të negociatave për Shqipërinë nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek? A mund të jetë ky qëndrim i Greqisë përpjekje për të joshur Shqipërinë në nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për detin, nisur nga fakti që Mitsotakis e ka kundërshtuar draftin e dakordësuar nga bisedimet mes Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati?
Në këtë skenar nuk mund të mos përfshihet roli që mund të luajë Turqia. Për marrëveshjen e nënshkruar në 2009 dhe të rrëzuar më vonë nga Gjykata Kushtetuese, mediat greke hamendësuan se rrëzimi i atij pakti nga Shqipëria ishte bërë me ndërhyrjen e Erdogan, që e shihte si precedent të rrezikshëm që Greqia mund ta përdorte në bisedimet me Turqinë për kufirin detar.
Skenari tjetër është që Greqia ta lërë në një moment të dytë çështjen e kufirit detar me Shqipërinë dhe të përqëndrohet në kundërshtimin e memorandumit mes Turqisë dhe Libisë, që sipas Athinës cenon ujërat e saj territoriale.
Memorandumi është “dhimbja e kokës” e radhës në Athinë, por jo e vetmja. Përplasje të forta me Turqinë janë edhe sa u takon operacioneve të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës e gazit në ato që Greqia i konsideron ujëra territoriale të Qipros, ndërsa Turqia si zonë ekskluzive ekonomike të sajën./Gazeta Si