Shqipëria po vijon të thithë më shumë investime të huaja nga viti në vit. Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë, të gjeneruara nga Banka e Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte kanë arritur një nivel rekord në tremujorin e parë të vitit, me një fluks hyrës prej 354 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e tyre fiksohej pranë 307 milionë eurove.
Referuar vendit të origjinës nga vijnë këto investime, duket se kryeson Turqia me 19.5% të fluksit total, ndjekur nga Italia me 11.6% dhe më pas renditet Austria: 9.6%, ndjekur nga Holanda, Kosova dhe Gjermania.
Flukset e investimeve ishin më të ulëta nga Kina, Greqia, Suedia dhe Sllovenia, vlera e të cilave varion nga 1 milionë euro në 3 milionë euro.
Ndërkohë, janë plot 80 milionë euro flukset e investimeve të huaja direkte në tremujorin e parë të këtij viti të cilat figurojnë si “të tjera për arsye konfidencialiteti”. Bëhet fjalë për 22.6% të totalit që nuk ka “etiketë origjine” për publikun.
Por cilat janë sektorët që ngjallin më shumë interes për investitorët e huaj?
Të dhënat tregojnë se sektorët me kontribut më të lartë janë Aktivitetet e pasurive të paluajtshme që zënë 23.7%; Aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 20.9%; Industria nxjerrëse me 14.4%; Industria përpunuese zë 11.8% dhe Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 7.3%.
Në njoftimin e ministrisë së Ekonomisë, thuhet se falë këtyre investimeve, Shqipëria vazhdon të zhvillohet dhe të forcojë pozicionin e saj në tregjet rajonale e ndërkombëtare. Progresi ekonomiko-social, konsolidimi fiskal, modernizimi i industrive dhe krijimi i vendeve të reja të punës, janë vetëm disa nga përfitimet që vijnë nga këto investime./ Elisabeta Dosku/SCAN