Shumë shpejt gjuha turke mund të mësohet në shkollat shqiptare si lëndë me zgjedhje, ndërsa e njëjta gjë do të ndodhë me shqipen në Turqi. Kjo është një prej pikave të cilat Shqipëria dhe Turqia zotohen të realizojnë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve më 6 janar 2021 në disa fusha, mes tyre edhe për arsimin.
Sipas marrëveshjes, do të ketë edhe shkëmbim përvojash mes palëve për hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet. Për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes do të ngrihet edhe një grup pune i përbashkët.