Në fund të mandatit të tij të parë shtatëvjeçar, dhe pas shtatë votimesh të dështuara dhe gjashtë ditësh të furishme negociatash të dështuara mes palëve, Sergio Mattarella u rizgjodh president i Republikës.
Në votimin e tetë, të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës, kreu i shtetit 80-vjeçar ka siguruar shumicën absolute.
Partitë në pushtet në Itali i kërkuan të shtunën presidentit, Sergio Mattarella që të vazhdojë një mandat të dytë, pasi kishin dështuar që të gjenin kompromis për një kandidat të ri.
Edhe pse Mattarella nuk e kishte me dëshirë një mandat të dytë, ai për shkak të situatës politike u tregua u disponueshëm për vazhdimin e detyrës.
Kryeministri italian, Mario Draghi ka folur me Mattarellan të shtunën, duke i thënë se ai duhet të mbajë postin e presidentit “për të mirën dhe stabilitetin e këtij shteti”.
Ky njoftim ka ardhur pas pesë ditëve të bllokadës në parlament, meqë blloqet kryesore politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për një kandidat që do të mund të fitonte shumicën e votave të ligjvënësve.
“Italianët nuk meritojnë më shumë ditë me konfuzion”, ka thënë Matteo Salvini, udhëheqës i Partisë së krahut të djathtë, Liga.
“Të rikonfirmojmë presidentin Mattarella dhe Draghin dhe të kthehemi menjëherë në punë. Problemet e italianëve nuk presin”, ka thënë Salvini.
Presidenti ka rol të rëndësishëm në Itali, sidomos në kohë krizash.
Mandati shtatëvjeçar i Mattarellas përfundonte në muajin shkurt.
Vendimi i sotëm tregon edhe frikën e vendit, të goditur rëndë nga kriza ekonomike edhe për shkak të masave kundër pandemisë, për të shkuar në drejtime të panjohura. Kandidatura e Mario Draghit në presidencë, që fillimisht dukej më e forta, u shua pikërisht sepse me ikjen e atij autoriteti ndërkombëtar që në të kaluarën ka qenë drejtor i Goldman Sachs, guvernatori i Bankës së Italisë dhe kreu i Bankës Qendrore Europiane, ekuilibrat mund të prisheshin përfundimisht, me hipotezën e zgjedhjeve të parakohshme që pjesa më e madhe e parlamentit nuk dëshironte.