Oh Young-soo, aktori i “Squid Game” është shpallur fajtor për akuzën e ngacmimit seksual, duke i dhënë fund gjyqit të tij në Korenë e Jugut. Ylli i serialit në Netflix, i cili luajti rolin e “plakut” në “Squid Game” është shpallur fajtor, duke u dënuar me 8 muaj heqje lirie me kusht dhe 40 orë mësime mbi dhunën seksuale.
Aktori 79-vjeçar preku trupin e një gruaje kundër vullnetit të saj. Ngjarja ndodhi në vitin 2017 dhe viktima e denoncoi incidentin në polici gjatë dhjetorit të vitit 2021. Çështja u mbyll në prill dhe u rihap sërish me kërkesën e viktimës.
Verdikti u bë me dije në gjyqin e Seongnam dhe për këtë akuzë, aktori mund të dënohej deri në 10 vite burg. Më parë, ylli i “Squid Game” e ka mohuar akuzën dhe tha se ai kishte mbajtur dorën e viktimës për ta shoqëruar në një shëtitje përgjatë liqenit. Ai shtoi se i ka kërkuar falje gruas.
Oh Young-soo konsiderohet si një ndër aktorët më të famshëm në Korenë e Jugut, pasi ka marrë pjesë në 200 prodhime kinematografike, duke nisur që prej vitit 1968.
Gjithashtu, Oh Young-soo është i pari aktor koreano-jugor që ka fituar një çmim Golden Globe.