Prokuroria e Krimeve të Rënda pak para shkrirjes ka kërkuar pushimin e çështjes për shkodranin Ergys Faslia, i cili u akuzua si pjesë e organizatës terroriste dhe u arrestua para ndeshjes Shqipëri–Izrael, 2 vite më parë.
Tashmë çështja do të mbyllet përfundimisht nga gjykata në vendimin që do të marrë më datë 26 dhjetor. Personat e arrestuar në nëntorin e 2017-s, në qytetin e Shkodrës u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “vepra me qëllime terroriste”, “kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” si dhe pjesëmarrëse në “organizatë terroriste”.
Por vetëm pas një viti të vuajtjes së dënimit, ish-prokurori i çështjes Eugen Beci kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të ndaluarit, si pasojë e mungesës së provave nga arrest në burg në arrest shtëpie, kërkesë kjo e miratuar nga gjykata. Pas dy viteve në arrest shtëpi, tashmë organi i akuzës pushoi çështjen në ngarkim të dy shkodranëve.
Në nëntor të 2017-s, 4 persona, dy prej të cilëve shkodranë dhe dy shtetas kosovarë u arrestuan në qytetin e Shkodrës, pasi u dyshuan se po planifikonin sulm me eksploziv në stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, akuzë e cila jo vetëm që nuk u provua por rezultoi si tërësisht e pavërtetë.