Dy ditë më parë bëri bujë fakti se aktori i ‘Portokallisë’, Florjan Binaj, ishte infektuar me Covid-19.
Aktori tha në një postim në Instagram se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se do karantinohet për 2 javë, teksa mediat raportuan se ai mund të ishte infektuar në Përmet, ku edhe ka udhëtuar disa ditë më parë.
Mirëpo, këto aludime arritën kulmin ditën e sotme, ku media të ndryshme raportuan se është shënuar rasti i parë i infektuar me koronavirus në qytetin e Përmetit dhe personi u infektua prej kontakteve me aktorin e humorit Florian Binaj.
Sipas Bashkisë së Përmetit, i infektuari është muzikant dhe tashmë është karantinuar së bashku me familjen e tij.
Pas këtyre lajmeve ka ardhur edhe reagimi i Florit, i cili në një postim në Instastory e mohon këtë gjë, duke thënë se ka qenë në Përmet më 7 qershor dhe para një jave.
Duke i quajtur këto lajme dashakeqëse dhe shpifje, Binaj thotë se e vërteta do dalë në shesh shumë shpejt dhe paralajmëron ‘Report Tv’, i cili hodhi i pari lajmin, se po e padisë në gjykatë.
“Pashë një lajm te Report Tv që aktori i Portokallisë Florjan Binaj ka infektuar me Covid-19 qytetin e Përmetit dhe se personi i infektuar më paska takuar në një party para një jave…emrin e të infektuarit nuk mund ta bëjmë publik për arsye etike, kurse emrin tim e bënë llum…
Sa për sqarim, në Përmet kam qenë në datë 7 qershor dhe jo para një jave. Kjo është një lojë e shpifur, dashakeqe, e turshme, e bërë për të ulur dhe hedhur baltë mbi fugurën time. E vërteta do dali në shesh shumë shpejt, ndërkohë që report Tv dhe ata që e kanë sajuar këtë lajm do përballen në gjykatë me mua!”