Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni reagoi ndaj akuzave të lëshuara në adresë të tij ditëve të fundit se po përfiton 11 paga mujore si përfaqësues i bordeve apo i këshillave të ndryshëm. Në një deklaratë të tijën Koni shprehet se “është anëtar vetëm në Bordin e Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (angazhim ky pa pagesë)”.
“Nuk jam dhe nuk kam qenë asnjëherë: Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë; Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë; Nënkryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual, Durrës; Kryetar i Këshillit të Statistikave; Anëtar i Këshillit Bashkiak, Tiranë; Këshilltar i Dhomës së Tregtisë; Anëtar i Këshillit të Qarkut dhe KKRT, Tiranë; Anëtar i Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor dhe Vlerësimit të Titujve Akademik dhe Anëtar i Këshillit të Profesorëve në Universitetin e Vlorës”, deklaron rektori Koni. Që prej ditës kur ka nisur protestat e studentëve, mes rektorit dhe kryeministrit Edi Rama ka pasur një përplasje deklaratash në distancë.
Në një takim të zhvilluar pesë ditë më parë në Ministrinë e Arsimit me kryeministrit Rama dhe me rektorë dhe dekanë, ai sulmoi në mënyrë direkte Konin. “Është një person që ka bllokuar disa dekanate, vetëm për tenderë. Konstatoj me keqardhje të madhe se Rektori i Universitetit të Tiranës nuk ka kuptuar ligjin e Arsimit të Lartë, harxhon 6 milionë euro për roje sigurie. Zëri kryesor në buxhete është “automjete” dhe “orendi për zyra”, tha Rama.
Por rektori reagoi duke i shprehur se ai nuk është arratisur apo shmangur përgjegjësive që i takon në ushtrimin e detyrës. “I detyruar nga akuzat tepër të rënda dhe sjellja e Kryeministrit ndaj personit tim, ju bëj me dije se: Në fakt është shumë e kuptueshme arsyeja dhe qëllimi i gjithë çfarë është bërë gjatë këtyre ditëve në adresën time dhe që në fakt ka filluar shumë kohë më parë. Këtë e kam ndjerë dhe e kam kuptuar shumë qartë. Të mundohesh të ndryshosh rrjedhën e gjërave, të mundohesh të gjesh dhe të bësh “fajtor” pa faj, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar që tregon vetëm frikë dhe asgjë tjetër”, do të replikonte Koni.