Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot vendimin e qeverisë për të shpërblyer me 5 mijë lekë pensionistët nga të ardhurat e marra nga taksa e jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë.
Rama thotë se fillimisht kjo taksë u anatemua si “tatim i jashtëzakonshëm komunist”, por pasi e bëri BE-ja dhe Ursula Von Der Leyen e tha në Tiranë që kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize “e mbyllën përkohësisht gojën”.
Të pavërtetë e quan Rama edhe akuzën se po shkelet Kodi Zgjedhor.
“Por ja ku erdhi prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohërave”, thotë Rama që nënvizon se kjo masë lehtësuese nuk do të jetë e fundit.
“Kur thosha do të vendosim taksë të jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe do t’ua shpërndajmë pensionistëve në prill, ata që ju e dini kush janë, bërtisnin ky është tatimi i jashtëzakonshëm komunist. E bëri BE-ja, e tha edhe këtu Ursula Von Der Leyen që po, kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize dhe e mbyllën përkohësisht gojën. Pastaj e hapën prapë gojën, duke u qarë hallin pensionistëve se i mashtroi Edi Rama dhe se s’do merrnin asgjë, po kur e dëgjuan që kjo do të ndodhte siç ishte premtuar, u hodhën përpjetë se po shkelej Kodi Zgjedhor! Krejt e pavërtetë, si zakonisht kur ata hapin gojën.
Por ja ku prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohërave. Kjo është një tjetër masë lehtësuese për ta pas Pakos së Madhe, po nuk është e fundit, sepse ne nuk bëjmë dot sa duam për më të moshuarit, por nuk do të lemë kurrë pa bërë gjithçka mundemi. *Më poshtë vendimi i sapofirmosur i qeverisë”, shkruan Rama.