Endri Elezi, shqiptari i akuzuar se ka furnizuar me armë një terrorist tunizian i cili vrau 86 persona në Nisë në vitin 2016, është ekstraduar në Francë. Ai u arrestua më 21 prill në Itali, në veri të Napolit, pas një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Franca.
28-vjeçari akuzohet se ndihmoi Mohamed Lahouaiej Bouhlel, i cili u fut me një kamion në mes të turmës në qytetin bregdetar francez më 14 korrik 2016.
I njohur edhe si “Gino” Elezi, shqiptari akuzohet se i ka siguruar tunizianit Bouhlel një pushkë, sipas burimeve të drejtësisë franceze, raporton AFP.
Bouhlel u vra nga policia teksa po drejtonte kamionin që u fut mes turmës në Nisë, ku përveç viktimave pati edhe 400 të plagosur.