Skema për t’i zhvatur 50 mijë lekë një personi që t’i shpëtonte burgut, i ka kushtuar shtrenjtë efektivit të policisë, Kastriot Palushi si edhe të gjithë drejtuesve në Komisariatin Nr.4.
Ditën e sotme, me firmë të kryepolicit, Muhamet Rrumbullaku, është vendosur përjashtimi nga Policia e Shtetit të Kastriot Palushit, e ndërsa ka nisur hetimi disiplinor për të gjithë drejtuesit e këtij Komisariati.
“Duhet të evidentohet shumë qartë, me një punë të shpejtë dhe profesionale, e gjithë përgjegjësia e linjës drejtuese për sa i përket rastit konkret, duke marrë masat përkatëse. Drejtuesit e strukturave ngarkohen me përgjegjësi direkte për veprimet e tyre dhe të vartësve, ndaj kërkoj një verifikim të plotë të rastit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë”, u shpreh Rrumbullaku.
Arrestimi i efektivit të Policisë u bë ditën e djeshme, me akuzën për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga një hetim u administruan prova dhe fakte se efektivi kishte shfrytëzuar funksionin dhe atributet e policisë gjyqësore, për të kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.