Të tjera detaje kanë dalë në lidhje me ngjarjen tronditëse të mësuar një ditë më parë, ku në Tiranë është arrestuar 42-vjeçari Dervish Hasi, me profesion mjek kirurg, pas dyshimeve se tutoronte një vajzë 16-vjeçare, të cilës i kishte premtuar se do të bëhej gruaja e tij e katërt.
Policia ka tentuar të flasë me tre gratë e Hasit, por asnjëra nuk ka dashur të japë një deklaratë për ngjarjen e rëndë, raporton Report TV. Ndërsa, vetë 42-vjeçari, në pyetjet që i janë bërë është përgjigjur shkurt me “Po” ose “Jo”, duke mos dhënë shumë detaje.
Ai ka thënë përpara hetuesve se vajzën nuk e ka detyruar njeri për asgjë. Vajza e mitur, e pyetur në lidhje me këtë ngjarje ka thënë se ka shkuar me dëshirë me 42-vjeçarin. Për shkak të situatës delikate, 16-vjeçarja pritet që të merret në pyetje sërish, në prani të psikologut.
Familja e vajzës ka thënë se nuk kanë pasur çfarë të bëjnë, pasi e mitura ishte indoktrinuar nga Hasi. Ata thanë se nëse do vepronin, kishin frikën e ndonjë veprimi nga ana e vajzës. Policia për këtë rast nuk ka pasur denoncim të mirëfilltë, por vetëm indicie.