Opinione U bëmë për 1 lek!

U bëmë për 1 lek!

Lutfi Dervishi

Nga Lutfi Dervishi

Lajmi se Bordi i Transparencës ka ulur çmimin e litrit të naftës më 1 lek, ose 0.008 euro kapi të papërgatitur ekspertët, analistët vendas dhe të huaj, shoqatat e biznesit dhe të turistëve dhe sigurisht edhe opozitën dhe popullin opozitar! Edhe vetë qeveria mbeti pa fjalë.

Shoqatat e Turizmit në Shqipëri njëzëri e përshëndetën vendimin e bordit për të ulur çmimin e naftës me 1 lek dhe e quajtën lajmin më të mirë të sezonit. Tanimë, edhe Jugu i vendit që ka patur një sezon të vështirë, do të rigjallërohet. Me 1 lek më shumë në xhepat e tyre turistët vendas do të shpenzojnë më shumë.

Më herët Banka e Shqipërisë, ndërsa përshëndeti vendimin e Bordit si një vendim historik me implikime pozitive në spiralin e pritshëm të rritjes ekonomike, bërë një sqarim të detajuar në një përpjekje për të mos mbiçmuar lekun dhe për të mos e dëmtuar më tej euron dhe dollarin.

Kur flasim për 1 lek, sqaroi një zyrtar i Bankës, nuk flasim thjesht për monedhën me peshë 3.00 gr, me diametër 18 mm, me formë të sheshtë që është prej materiali përzierje baker-zink (çelik i veshur me baker)  që është në qarkullim në Shqipëri prej vitit 1997. Po flasim për një monedhë që sot, me vendimin e Bordit të Transparencës, merr vlerën e arit të zi. Sot motorrët e ekonomisë shqiptare janë vënë në lëvizje dhe janë gati për një hop cilësor.”

“Kjo është shenja më e sigurtë se ne tani po dalim nga kriza që ka kapur gjithë botën. Për këtë arsye qeveria tërhiqet nga paketa e dytë mbështetëse për pensionistët dhe bizneset, sepse thjesht tani nuk është më nevoja. Ky lajm i bordit, – tha një zëdhënës i qeverisë- është edhe një shuplakë për opozitën që na është qepur me gurë në trastë dhe na ka bërë për një lek në sytë e shqiptarëve”.

Agjencitë turistike raportuan për një kërkesë në rritje të paparë për të ardhur në Shqipëri dhe siç konfirmojnë lajmet e fundit, nuk ka më kapacitete të lira akomoduese deri në fund të shtatorit.

Konfindustria e cilësoi lajmin si ogur të mbarë për ekonominë e vendit dhe një garanci më shumë për investitorët e huaj që pritet të vërshojnë në Shqipëri. “Klima e biznesit e rënduar nga konflikti i tejzgjatur politik, dhe akuzat krejt të pabaza për korrupsion në çështjen e incineratorëve, është përmirësuar në nivelin e vendeve nordike”.

Turistët e ndodhur në Shqipëri, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me të mësuar lajmin se nafta është ulur me 1 lek, u dyndën në 1370 pikat e karburantit në gjithë vendin, duke bllokuar qarkullimin për disa orë.

Tronditja që kaploi Shqipërinë u pasua menjëherë nga një tërmet i fortë në tregjet financiare dhe në vetë bursën e naftës. Euro dhe dollari pësuan rënien më të madhe karshi lekut që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Për shkak të mbylljes së bursave aziatike, jeni japonez doli më pak i dërrmuar pas këtij vendimi  befasues të Bordit të Transparencës. mimi naftës në bursë ra 8.7 USD për fuçi.

Komisioni Europian, G-7 dhe G-20 me një deklaratë të përbashkët, përshëndetën vendimin e Bordit dhe vlerësuan kontributin e ekonomisë shqiptare në këtë kohë kur nga fronti i ekonomisë në përgjithësi dhe energjisë në veçanti marrim vetëm lajme shqetësuese.

Një burim i Komisionit të BE-së, në kushtet e anonimatit, pranoi se me këtë lëvizje Shqipëria ka bërë aq sa për të hapur dhe mbyllur 15 kapituj menjëherë.

Vëzhguesit e jetës politike Shqiptare nga Brukseli thanë se “1 lekshi” pritet që të ulë temperaturat e larta politike në vend.

“Protestat që po planifikonte, shoqëria civile dhe partitë e opozitës tashmë mund të quhen pa vlerë, dhe në anën tjetër, dhe temë debati në ditët e nxehta të gushtit,  pas vendimit historik të Bordit, nuk pritet të jenë më as zjarret, as skandalet e supozuara, as akuzat për korrupsion. Të gjithë tani do të flasin për 1 lekshin. Të jemi të sinqertë deri në fund, Shqipëria me këtë vendim na ka bërë për 1 lek”

P.S. Me rastin e vendimit historik të Bordit të Transparencës, qeveria do të organizojë më 13 gusht një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.