Sport U ble për të fituar Championsin, operacioni “Ronaldo” rezulton një dështim

U ble për të fituar Championsin, operacioni “Ronaldo” rezulton një dështim

Mbërriti në Torino në verën e vitit 2018 për të ftuar Champions League-n, trofenë kaq shumë të dëshiruar nga “Zonja e Vjetër”. Me shumë mundësi, do të largohet pa e prekur kupën me veshë të mëdhenj me fanellën bardhezi. Sepse është shumë e vështirë ta besosh se pas tri zhgënjimeve radhazi (eliminimi nga Ajaksi në çerekfinale dhe nga Lioni e Porto në fazën e 1/8-ave) dhe me një pagë “faraonike” prej 31 milionë eurosh do të ketë një sezon të katër të CR7 në Serinë A.

Nga përvoja e yllit portugez me fanellën e Juves në Champions do të mbahet mend ndoshta vetëm tregolëshi që i shënoi Atleticos së Madridit. Shumë pak për dikë që ishte thirrur në Torino për të rikthyer Championsin, që mungon prej 25 vjetësh.

Paga e lartë e Ronaldos ka frenuar ristrukturimin e skuadrës në vitet e fundit dhe tani, në kohën e pandemisë, bëhet është edhe më e vështirë që të bëhen investime të mëdha. Edhe nëse CR7 do të dojë të qëndrojë në Torino, nuk është në interes të “Zonjës së Vjetër” t’i japë një pagë kaq të lartë, kur arritjet sportive lënë për të dëshiruar.

Tani mbetet ndjekja e titullit dhe një finale e Coppa Italia për t’u nderuar, dy objektiva që mund t’i japin një kuptim tjetër një sezoni ndryshe të dështuar. Por nëse është e vërtetë që cikli Pirlo sapo ka filluar dhe do të vazhdojë (e thënë nga vetë trajneri i Juventusit, duke raportuar fjalët e Presidentit Agnelli), enigma e Ronaldos së shpejti pritet të zgjidhet. Juventus, ky Juventus, është në fund të ciklit të tij: duhet të rifillojë nga disa siguri absolute si Chiesa, De Ligt, Morata, Kulusevski, Arthur dhe McKennie, duhet të qartësohet roli i disa senatorëve tani në rrugën e perëndimit dhe lojtarë që erdhën me parametër zero si Rabiot dhe Ramsey të cilët sigurisht nuk dhanë atë që shpresohej, por mbi të gjitha, nëse vërtetë do të bëhet Juve e Pirlos, duhet të gjejë burimet për të investuar në perspektiva të reja që i përgjigjen ideve të trajnerit të Juventusit. E jo e fundit, të kuptohet se si mund të dilet nga ngërçi i Ronaldos, duke marrë parasysh moshën dhe “koston” e portugezit. Gjithashtu sepse në repartin e sulmit, sikur të mos mjaftonte, ekziston gjithmonë çështja e rinovimit të kontratës së Dybala.