Ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë italiane Giovanni Cascarino, i njohur për lidhjen me klanin e Camorras.
Në kuadër të bashkëpunimit, ai ka rrëfyer vrasjen e shqiptarit Halim Margiekait në vitin 1999 në Capua.
Duke iu referuar vrasjes së shqiptarit ai shprehet se ky ishte një ndëshkim për viktimën, i cili së bashku me vëllain, kishte keqtrajtuar dhe detyruar një vajzë të punonte si prostitutë.
Cascarino ka thënë se ai kishte rënë në dashuri me vajzën që prostituohej nga shqiptari dhe donte të kishte me të një lidhje fikse.
Vajza e quajtur Sonia, detyrohej të prostituohej në afërsi të Capua-s.
“E vrava se rashë në dashuri me vajzën që ai e shfrytëzonte si prostitutë dhe nuk e linte të lirë”, tha Giovanni Cascarino, në procesin gjyqësor të vrasjes së Halim Margiekait, 20 vite më parë në Capua.
Pavarësisht lidhjes së dashurisë mes anëtarit të “Camorras” dhe prostitutës, Halim Margiekai, tutori i vajzës, nuk kishte ndërmend ta linte atë të lirë, dhe bashkë me të vëllanë e rrëmbyen dhe e keqtrajtuan për disa muaj.
Sipas italianit ky episod e kishte detyruar të hakmerrej. Shqiptari u ekzekutua me pistoletë në një atentat, ku mbeti i plagosur edhe i vëllai.
Giovanni Cascarino ka treguar në gjykatën e Apelit krimin e vitit 1999, duke zbuluar edhe emrin e bashkëpunëtorit, Mario Cuoco.
Të dy italianët, siç raportojnë mediat lokale, kanë qenë të lidhur me klanin mafioz të Camorra-s, “La Torre”.
Prokurori, pasi dëgjoi rrëfimin, kërkoi dënimin me 18 vite burg për Giovanni Cascarino-n, autori i vrasjes dhe 16 vite burg për Mario Cuoco-n, si bashkëpunëtor në krim.